Viti 2019, vit i një krize të re ekonomike?

0
45
Loading...

Krizat ekonomike janë të shpeshta. A do të ketë një krizë edhe në vitin 2019? Pas nesh kemi lënë një vit me shumë sfida, ndërsa këtë vit sfidat do të jenë edhe më të mëdha.

Nga Henrik Boehme – DW

Profetët e krizave e kanë të lehtë: Çdo herë ata e vizatojnë një djall në mur dhe thonë se kriza dhe thyerjet ekonomike në vitin e ardhshëm do të jetë edhe më të rënda. E më pas kur vërtet ndodhë diçka thonë: E shihni, ju kemi thënë me kohë! Ata shkojnë nëpër vende të ndryshme, përhapin frikë dhe shesin librat e tyre.

Por nëse shikon gjendjen e tanishme ekonomike, në fund të vitit 2019 mund të ketë vërtet një Crash ekonomik! Probleme të pazgjidhura ka gjithandej. Kaosi rreth Brexitit, populistët në Itali, lufta tregtare SHBA-Kinë. Në fakt, askush nuk do të donte të paramendonte një recesion të ri në Evropë, sepse pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Banka Qendrore Evropiane e ka shpenzuar municionin dhe tani ka mbetur peng i politikës së Draghit, me një përqindje zero të interesit. Mosveprimi i Draghit paraqet një bazë të fuqishme për një krizë të re.

Prognozat e zymta

Administruesi më i madh botëror i pasurive Blackrock, ka paralajmëruar investitorët që të mos blejnë aksione në tregjet evropiane. Rreziku është tepër i madh, shanset për fitim janë tepër të vogla. Duhet të shqetësohemi nëse investitorët sërish i kthehen më fuqishëm blerjes së bonove amerikane, me shpresë se atje do të kenë më shumë përfitime. Shenjat për një krizë të re janë të qarta.

Por shqetësimi më i madh është mali i borxheve në mbarë botën. Prej vitit 2007, borxhet në botë janë rritur për 42 % dhe aktualisht, borxhet kapin një shumë prej 237 bilionë dollarë, që është një shumë jashtëzakonisht e lartë. Investitorët kanë futur vetëm në Wall Street një kapital prej 670 miliardë dollarë. Ata spekulojnë me para të huazuara. Një bombë e kurdisur!

Bota sot ka më shumë borxhe se në kohën e krizës. Varësisht nga burimi, thuhet se borxhet e përgjithshme kapin një shumë prej 225% -245% të fuqisë ekonomike botërore. Vetëm sa për shpjegim: Në Eurozonë shtetet përballen me pakënaqësi, në qoftë se borxhet e një vendi janë më të larta se 60%. Ndërkohë që borxhet globale po rriten më shpejtë se shkalla e zhvillimit ekonomik. Rritja e viteve të fundit e ka pasur një çmim të lartë.

Fatura duhet të paguhet

Nëse kjo flluskë pëlcet, që me siguri do të ndodhë, atëherë duhet të jenë të kënaqur të gjithë ata të cilët janë përgatitur mirë. Të tjerët, do të përballen me pasoja të rënda. Shtetet e futura tepër në borxhe nuk mund të llogarisin me paketa të reja ndihmash. Ndërkohë që BQE nuk do të ketë masa të reja në dorë për nxitjen e zhvillimit ekonomik, për shkak se interesi edhe tani është zero.

Amerikanët për shkak të politikës së Trumpit me siguri që do të paguajnë një çmim të lartë, për shkak të futjes së re në borxhe. Ndërsa evropianët do të paguajnë për shkak se janë kënaqur tepër me zhvillimet e mira ekonomike në disa vitet e fundit. Por evropianët nuk janë përgatitur për krizë.

A do të ketë vërtet një thyerje të madhe ekonomike në vitin 2019? Dhe në cilën ditë të javës do të ndodhë një Crash i madh? Këtë duhet t’i pyesni profetët e krizave. Ata mund t’ua thonë shumë saktë!

Komento:
Loading...