“Si shpëtuam nga lufta civile”/ Çfarë ndodhi në Shqipëri 20 vjet më parë?

0
848
“Si shpëtuam nga lufta civile”/ Çfarë ndodhi në Shqipëri 20 vjet më parë?
Nga: Dritan Hila
Loading...

Njëzet vjet më parë në 9 mars 1997 forcat politike shqiptare i dhanë rrugë in extremis qeverisë së pajtimit kombëtar. Vendin e lënë bosh nga Aleksandër Meksi i cili administroi shtetin shqiptar në periudhën e vështirë 92-97, do ta zinte Bashkim Fino, një socialist i njohur për profilin e tij paqtues dhe jo agresiv ndaj Presidentit të kohës, Sali Berisha. Vendi ishte në prag të luftës civile ku të gjithë i trembeshin të gjithëve. Trazirat e iniciuara nga rënia e firmave piramidale po hynin në një spirale të pa kontrolluar që rrezikonin integritetin e vendit.

Fuqi të huaja rajonale të dëshiruara për realizimin e ëndrrave të vjetra, klasë politike vendase e papjekur dhe e pa eksperiencë, po e bënin edhe një herë Shqipërinë shprehje gjeografike. Por për fat të mirë, ndërhyrja e ndërkombëtarëve e përfaqësuar në publik nga ish Kancelari Vranicki që ishte edhe mediatori i kohës, dhe pikat e fundit të bonsensit të politikanëve shqiptarë, bënë që vendi të shpëtonte. Por armiqësitë vetëm sa ishin fashitur. Ish komunistëve që tashmë i thoshin vetes socialistë, ju dukej se koha ju kishte dhënë të drejtë. Ndërsa demokratët ngjante se fati ishte treguar mizor me ta, duke lejuar edhe një herë ata që kishin qeverisur për 45 vjet, të rimerrnin pushtetin.

Ndarjet veri – juga; toskë dhe gegë ngjanin të ringjallura. Pjesë të tëra të territorit ishin jashtë kontrollit të shtetit. Bandat e armatosura kishin krijuar feudet e tyre politike, të sponsorizuara edhe nga politika, ndërsa kapobandat ishin yjet e emisioneve të lajmeve, ku me armë në dorë merrnin poza prej Robin Hudësh modernë. Por si gjithmonë, fuqitë e mëdha vendosën veton për mbijetesën e kombit shqiptar. Misioni Alba ishte shenjë e vendosmërisë së perëndimit për ta mbajtur Shqipërinë si një njësi të pavarur në gjirin e kombeve të qytetëruara.

Dhe në këtë mision mes irracionalitetit, patën ndihmën e shqiptarëve të thjeshtë të cilët kishin më të zhvilluar se politika sensin e jetesës së përbashkët. Bilanci i paguar nga shqiptarët në këtë marrëzi kolektive ishte ai i një lufte. 1 miliard e 200 milion dollarë ishte llogaritja e përafërt që shqiptarët kishin lënë në skemat piramidale të cilat kishin si emërtesa nga emra lumenjsh, malesh, personash e deri aktorë filmash. Si për të treguar marrëzinë tonë kombëtare dhe papërgjegjshmërinë ndaj parasë. 200 deri 300 milion ishte përllogaritja e shkatërrimit të objekteve dhe dëmi ekonomik, por edhe ky i marrë me përafërsi, pasi ekonomia lëvizte kryesisht në të zezë.

As numri i të vrarëve nuk mund të llogaritet me saktësi në një hapësirë ku për muaj të tërë nuk funksiononte shteti dhe ku nuk dihej kush kishte vdekur nga plumbi, shpërthimet, aksidenti apo vdekja natyrale. Bilanci i përafërt thotë për 360 policë dhe 3.000 qytetarë të vrarë dhe 5.000 të plagosur. Ndërkohë forcat e armatosura nuk ekzistonin më. Në muajt e revoltës u plaçkitën gjithë depot e ushtrisë dhe rezervat e saj. Armët e këmbësorisë u kthyen në lodra fëmijësh dhe kushdo që kishte pak vullnet mund të bllokonte rrugët nacionale dhe ngrinte postobllok që plaçkiste herë në emër të antiberishëve dhe herë në emër të shtetit që nuk dallonte shumë prej banditëve.

Ditën që qeveria e pajtimit kombëtar morri fuqinë në dorë, edhe bulevardi Dëshmorët e Kombit ku kishin selinë pushtete qëndrore, kontrolloheshin nga paramilitarët. Njëzet vjet më parë, socialistët ngjanin se do qeverisnin edhe 45 vjet të tjera. Në fakt pas tetë vjetësh ja lëshuan përsëri vendin Sali Berishës, njeriut që në atë 9 mars të largët të 97-tës dukej një kufomë politike. Fatos Nanoja, ylli i të cilit besohej se do njihte vetëm ngjitje, sot ka 12 vjet që ka zgjedhur vetëharrimin.

Edi Rama, njeriu që mbahej mend si opinionisti kontravers, sot qeveris gjysmën e qeverisë dhe të bulevardit, ku gjysmën tjetër e qeveris Ilir Meta i cili ato kohë ishte diçka më shumë se një emër. Ndërsa Sali Berisha dhe delfini i tij, rri shpirtërisht dhe fizikisht mes tyre, në një çadër, dhe shumë shqiptarë kanë ende frikë se njeriu që ngjan i mbaruar mund të rinisë nga çadra,ë marshimin për herë të tretë drejt pushtetit.

Njëzet vjet më vonë, shqiptarët duhet të rikujtojnë, jo për të gjykuar, por për të mësuar se çfarë ndodhi dhe çfarë i shpëtoi në fije të perit nga një vetasgjësim i 20 viteve më parë kur burrat e sotëm ishin adoleshentë dhe pleqtë ishin burra.

Komento:
Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

eighteen + nineteen =