Si mund të këmbehet një kartëmonedhë e dëmtuar?

0
17
Loading...

Klienti duhet të paraqitet në sportelet e bankave të nivelit të dytë ku mund të dorëzojë kartëmonedhat dhe monedhat e dëmtuara.

Kartëmonedha/monedha këmbehet në sportel

Në rastet kur kartëmonedhat kanë dëmtime të lehta (shënime, njolla, vrima apo grisje të lehta), ato këmbehen direkt në sportel kundrejt vlerës nominale.

Kartëmonedha/monedha nuk këmbehet në sportel kur…

…kartëmonedhave iu mungojnë pjesë apo elemente sigurie dhe bankat tregtare kanë dyshim për autenticitetin e tyre, ato nuk këmbehen direkt në sportel, por dërgohen pranë Bankës së Shqipërisë për t’u kryer ekspertiza të mëtejshme.

Në këtë rast, klienti bashkë me fondet e dëmtuara duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim për këmbimin.

Kur kartëmonedhat e paraqitura për këmbim janë të njollosura me bojë, të ndotura, të përmbytura, të djegura apo të dëmtuara në mbi 50% të sipërfaqes së tyre, klienti, përveç kërkesës me shkrim, plotëson dhe një deklaratë që shpjegon burimin e dëmtimit dhe i bashkëngjit çdo dokument tjetër shtesë të lëshuar nga organet kompetente ose nga organet e pushtetit vendor ku përcaktohet burimi dhe rrethanat e dëmtimit të tyre.

Për secilin nga rastet e mësipërme, bankat e nivelit të dytë dërgojnë në Bankën e Shqipërisë kartëmonedhat e dëmtuara së bashku me kërkesën dhe dokumentet shtesë, jo më vonë se 10 ditë pune nga data e plotësimit të kërkesës së klientit.

Banka e Shqipërisë përcakton sasinë e kartëmonedhave/monedhave që përmbushin kriteret për këmbim dhe kalon vlerën nominale të tyre në llogarinë e bankës tregtare. Banka tregtare e kompenson klientin qe ka dorëzuar kartëmonedhat/monedhat e dëmtuara.

Banka e Shqipërisë mund të refuzojë këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të dëmtuara, në rastet kur ka dijeni ose ka arsye të mjaftueshme për të besuar se:

Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë dëmtuar qëllimisht (janë kartëmonedha ose monedha të formuara nga bashkimi i dy ose më shumë pjesëve nga kartëmonedha ose monedha të ndryshme). Në këtë rast, kartëmonedhat/monedhat do të konfiskohen pa kompensim.

Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë përfituar duke kryer një vepër penale.

Banka e Shqipërisë do t’i kualifikojë ato si të vlefshme për këmbim vetëm nëse pas verifikimit me autoritetet kompetente përcaktohet se burimi i kartëmonedhave të paraqitura është i ligjshëm.

Komento:
Loading...