Si arriti djali i një këpucari të kontrollonte gjysmën e Evropës

0
96
Loading...

Anne Applebaum*

Si Stalini u bë Stalin? Ose për të qenë më të saktë: Si Josif Vissarionovich Dzhugashvili, nip bujkrobërish, djali i një rrobalarëseje dhe një këpucari, u bë gjeneral Stalini, një nga vrasësit më brutalë që bota ka njohur ndonjëherë? Si arriti një djalë i lindur në një qytezë të errët kodrinore gjeorgjiane të bëhej diktatori që kontrollonte gjysmën e Evropës? Si arriti një djalë që studionte fenë të kthehej në një ateist të zellshëm dhe ideolog marksist?

Nën influencën e Freudit, shumë biografë ambiciozë – për të mos përmendur psikologë, filozofë e historianë – kanë ngritur pyetje rreth fëmijërisë së tij. Ashtu si fanatizmi i Hitlerit është shpjeguar me rritjen e tij, jetën seksuale, po ashtu ashpërsia e Stalinit i atribuohet babait të tij, që sipas fjalëve të Stalini “e rrihte pa mëshirë”, ose mamasë së tij e cila mund të ketë pasur një lidhje me priftin e zonës. Aksidenti që e la Stalinin me një krah të paralizuar, apo infeksioni i lisë që i la shenjë në fytyrë, ose defekti në lindje që lindi me dy gishta të ngjitur, thuheshin se janë shenja të djallit.

Politika i ka influencuar biografët e Stalinit gjithashtu. Gjatë jetës së tij, simpatizantët e bënë atë superhero, por edhe kundërshtarët kanë imponuar paragjykimet e tyre po ashtu. Leon Trotsky, armiku më i keq i Stalinit, ishte përkthyesi i tij më me ndikim i shekullit XX. Stalinit të Trotskyt i mungonte zgjuarsia dhe gëzimi; sipas tij ishte një njeri analfabet dhe provincial që e kishte marrë pushtetin nëpërmjet manipulimit burokratik dhe dhunës brutale. Mbi të gjitha, Stalini, sipas Troskyt, ishte ai që tradhtoi në fillim Leninin dhe më pas kauzën marksiste. Ishte portreti që i shërbeu një qëllimi, duke frymëzuar trockistët t’i qëndronin besnik revolucionit sovjetik.

Që nga hapja e arkivave sovjetike në vitet ’90, dëshmi psikologjike e politike të jetës së Stalinit filluan të zbuloheshin. Politika ndikon akoma në mënyrën se si ai mbahet mend publikisht: në vitet e fundit liderët rusë nuk i kanë përmendur krimet e Stalinit ndaj njerëzve të tij, por festojnë fitoret e tij ushtarake në Evropë. Por, disponueshmëria e shumë dokumenteve e letrave që dikur ishin sekrete ka bërë të mundur që historianët të shkruajnë për të vërtetën ashtu siç ishte.

Duke kërkuar të dhëna për rininë e Stalinit në Tbilis dhe Moskë, historiani dhe gazetari Simon Sebag Montefiore, na ofron një portret të një diktatori të ri, poet e Don Zhuan.

Duke gërmuar thellë në koleksionet arkivore të tij, akademiku rus Oleg Khlevniuk ka treguar prova të të detajuara të evolucionit në rritje të Partisë Komuniste Sovjetike nga kaosi i revolucionit në atë që u quajt stalinizëm. Librat e tij – së bashku me letra të shkruar nga Stalini drejtuar Vyacheslav Molotovit dhe Lazar Kaganovichit, si dhe dhjetëra dokumente të publikuar rreth kolektivizmit, urisë në Ukrainë, KGB-së etj. – tregojnë që Stalini nuk e krijoi diktaturën sovjetike thjesht nëpërmjet dredhive dhe as nuk e krijoi i vetëm. Ai u ndihmua nga një rreth i ngushtë njerëzish, si dhe mijëra policë sekretë.

Në një biografi jashtëzakonisht ambicioze, vëllimi i parë flet për lindjen e Stalinit në vitin 1878 deri në vitin 1928 në vetëm 1000 faqe. Profesori i historisë, Stephen Kotkin, është përpjekur të bashkojë në këtë vëllim punën e qindra dijetarëve të tjerë. Qëllimi i tij është të largojë dyshimet dhe pasaktësitë në biografinë historike sovjetike. Ai hedh poshtë frojdianët se nuk kishte asgjë të veçantë në jetën e rinisë së Stalinit që e dallonte atë nga të tjerët apo e bënte të pazakontë. Sergei Kirov, anëtar i rrethit të brendshëm të Stalinit, u rrit në një jetimore, pasi babai i tij alkoolist e braktisi dhe e ëma i vdiq nga tuberkulozi. Grigory Ordzhonikidze, një tjetër mik i tij, i kishte humbur dy prindërit kur ishte 10 vjeç. Ndërsa Stalini kishte një nënë, e cila pavarësisht origjinës së saj, ishte ambicioze dhe energjike, që arrinte të mobilizonte familjen në emër të djalit të saj të talentuar.

Kotkin vë në dukje se Stalini i ri nuk dallohej se ishte rrugaç, por se ishte një student i shkëlqyer. Në moshën 16-vjeçare ai mori pjesë në seminarin Tiflis, rangu më i lartë i shkallës arsimore në Kaukaz. Ai më pas braktisi shkollën dhe u mor me politikë, por mbeti një personalitet karizmatik.

Kotkin vendosi të shkruajë në librin e tij jetën definitive të Stalinit, por gjithashtu edhe historinë e rënies së perandorisë ruse dhe krijimin e një perandorie të re sovjetike në vend të saj. Libri i tij është i mbushur me detaje nga jeta e Bismarkut dhe Musolinit, si dhe të politikanëve caristë si Sergei Witte, Pyotor Stolypin, dhe Pyotor Durnovo, për carin dhe careshën vetë, dhe sigurisht për Leninin, Trotskyn, Nadezhda Krupskaya, Nikolai Bukharin dhe Felix Dzerzhinsky.

Në prag të revolucionit rus, Stalini ishte në të 30-at e tij dhe nuk kishte asgjë për të treguar nga jeta. Ai nuk kishte para, nuk kishte një banesë të përhershme, nuk kishte një profesion real, por shkruante artikuj për gazeta ilegale. Nuk ishte i trajnuar në artin e qeverisjes dhe nuk kishte përvojën në menaxhimin e asgjëje. Puçi bolshevik i vitit 1917 solli shijen e parë të suksesit për të dhe shokët e tij. Revolucioni i tyre, rezultat i reformave me rrezik të ndërmarra nga Lenini, vërtetoi ideologjinë e tyre të errët dhe fanatike. Ajo i solli siguri personale atyre, famën dhe pushtetin që nuk e kishin njohur më parë.

Si rezultat, shumica e liderëve bolshevikë vazhduan të kërkonin udhëzime në këtë ideologji dhe Stalini nuk përbënte përjashtim. Në vitet e mëvonshme, ngriheshin pyetje rreth vërtetësisë së deklaratave të liderëve sovjetikë. Përgjigja e Kotkinit ishte po, që ato ishin të sinqerta. Ndryshe nga imagjinata e Trotskyt, Stalini i vërtetë e justifikonte çdo vendim të tij duke përdorur gjuhën ideologjike, si në jetën publike ashtu dhe atë private. Është gabim të mos e marrësh seriozisht këtë gjuhë, sepse tregonte një udhëheqje të shkëlqyer të mendimit dhe ideve të tij. Ai bënte ekzaktësisht çfarë thoshte se do bënte.

Kjo ishte e vërtetë në fushën e ekonomisë. Bolshevikët u dëbuan nga një kombinim idesh apo zakonesh mendimi, që kishin antipati të thellë për tregjet e gjërat borgjeze. Direkt pas revolucionit, këto bindje i udhëhoqën ata të linin mënjanë tregtinë private, të shtetëzonin industrinë, të konfiskonin pronat, të matnin sasinë e grurit e t’i bënin rishpërndarjen e tij në qytete, të gjitha politikat që kërkonin një lloj dhune masive për t’u zbatuar. Në vitin 1918, Lenini vetë sugjeroi se fshatarët duhet ta ndanin grurin me shtetin dhe ata që refuzonin ta bënin një gjë të tillë, vriteshin në vend.

Edhe pse disa prej këtyre politikave, duke përfshirë atë të marrjes së grurit me detyrim, u braktisën përkohësisht në vitin 1920, Stalini i risolli në fund të dekadës. Politikat e tij ishin pasoja logjike të çdo libri që ai kishte lexuar dhe çdo bisede politike që kishte bërë. Stalini, ashtu siç Kotkin zbulon, nuk ishte as një burokrat i shurdhër e i jashtëligjshëm, por një njeri i formuar nga adhurimi i tij për një doktrinë puritane. Dhuna nuk ishte produkt i subkoshiencës së tij, por i ndërthurjes së bolshevizmit me ideologjinë marksiste-leniniste. Kjo ideologji i ofroi Stalinit një ndjenjë të thellë sigurie përballë shumë pengesash politike e ekonomike. Nëse politikat e krijuara për zhvillim sollën varfëri edhe për këtë kishte një shpjegim: teoria ishte interpretuar gabimisht, zyrtarët kishin gabuar rëndë. Nëse politikat sovjetike ishin jopopullore, edhe në mesin e punëtorëve, kjo gjithashtu mund të shpjegohej: po rritej antagonizmi për shkak të intensifikimit të luftës së klasave.

Çfarëdolloj gjëje të shkonte keq, kishte një kundërpërgjigje për të, siç ishin forcat e konservatorizmit, ndikimi sekret i borgjezisë. Këto besime përforcuan më tej betejat e viteve 1918-1920 mes ushtrisë së Kuqe dhe të Bardhë. Edhe njëherë Stalini mësoi se dhuna ishte çelësi i suksesit.

Për Stalinin, lufta civile ishte formuese, pasi ajo i dha atij përvojën e parë të pushtetit ekzekutiv. Në vitin 1918 ai u dërgua në qytetin Tsaristyn, që ndodhej pranë lumit Vollga dhe ishte vend e një kryqëzim i rëndësishëm hekurudhor. Misioni i tij ishte të siguronte ushqim për punëtorët që vdisnin urie në Moskë e Petrograd. Për të përmbushur qëllimin e tij, ai i dha vetes kompetenca ushtarake: mori degë lokale të Policisë sekrete dhe vodhi 10 milionë rubla nga një grup tjetër bolshevikësh.

Kur hekurudha nuk funksionoi siç donte ai, Stalini ekzekutoi specialistët teknikë. Ai ndërmori revolucione të tjera, që sipas Kotkinit nuk ishin për të përhapur panik, por si strategji politike për të nxitur masat e duke i paralajmëruar se armiqtë e revolucionit ishin gati të organizonin kryengritje për të rimarrë qytetin.

Këto metoda çuan në rrëzimin ushtarak të Tsaritsynit, dhe Lenini e thirri Stalinin në Moskë. Kur Lufta Civile përfundoi, dështimet ushtaraket të Stalinit u harruan. Qyteti Tsaritsyn mori emër të ri “Stalingrad”. Ky proces u përsërit gjatë gjithë jetës së Stalinit. Kur ai përballej me një krizë të madhe, përdorte metoda revolucionare të jashtëligjshme për ta zgjidhur atë. Ishte i pamëshirshëm me kundërshtarët.

Vëllimi i parë i Kotkinit përfundon me marrjen e vendimit për kolektivizimin e bujqësisë sovjetike nga Stalini. Miratimi i kësaj politike do të çonte në zhdukjen e urisë për miliona njerëz dhe kjo rezultoi të ishte një triumf i madh politik për Stalinin.

Në Perëndim, ne shpesh supozojmë se autorët e dhunës masive janë të çmendur dhe nuk arsyetojnë, por siç Kotkin tregon, as Stalini nuk ishte i tillë. Kotkin del në idenë se Stalini ishte njeri racional e inteligjent. E përforcuar nga një ideologji që justifikon vdekjen e miliona njerëzve, kjo është akoma më e tmerrshme. Kjo do të thotë që ne duhet t’i marrim më seriozisht deklaratat e politikanëve rusë, që kanë marrë në konsideratë kohët e fundit përdorimin e armëve bërthamore kundër shteteve baltike, apo udhëheqësve të ISIS-it që bëjnë thirrje për vdekjen e të gjithë të krishterëve dhe hebrenjve.

Komento:
Loading...