Shqiptarët, paga më të ulta se në vitin 2000: Shqipëria, ndër 3 vendet me rënien më të madhe në Europë

0
12
Loading...

Shqiptarët sot kanë paga reale më të ulta se në vitin 2000. Këtë gjë e thotë Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Madje, nga të dhënat e raportit më të fundit të pagave nëpër botë për 2018-2019, rezulton se, në Europë, Shqipëria është vendi i dytë me rënien më të madhe të pagave reale, me plot 3.3% mesatarisht, çdo vit që prej vitit 2000. Pagat reale janë ato të rregulluara sipas normës së inflacionit. Pra, pagave absolute i`u hiqet hapi i rritjes së çmimeve.

Siç kuptohet qartë, gjatë kësaj periudhe kohore, çmimet janë rritur me një hap bindshëm më të shpejtë se pagat, duke vështirësuar ndjeshëm jetesën në vendin tonë, e duke nxitur pse jo edhe valët migratore ndër vite. Por, ajo që bie në sy nga raporti më i fundit i ILO-s është fakti se, rënia më e madhe e pagave është në vitet 2007-2010, periudhë që përkon edhe me krizën ekonomike globale. Rënia drastike e atyre viteve nuk është amortizuar ende sipas ILO-s.

Për të kuptuar realisht pozitat e Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, mjafton të themi se vendi me performancën më të keqe në Europë, ku fill pas tij vjen Shqipëria, është pikërisht Greqia, me një normë në -3.5%. Greqia gjatë kësaj periudhe kohore ka kaluar një prej krizave më të thella ekonomike, me tkurrjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me më shumë se ¼, ndërkohë që Shqipëria nuk është përballur me asnjë krizë të këtyre niveleve.

Pas Greqisë dhe Shqipërisë vjen Spanja, një tjetër vend i zhytur në një krizë të thellë. Ndër të tjera, të dhënat tregojnë se që prej vitit 2011, në Shqipëri nuk ka pasur rritje reale të pagave.

Komento:
Loading...