Shqipëri Lleshi

0
32
Loading...

Nga Sokol Balla

Sandër Lleshi mund të dekretohet ose jo në të gdhirën e ditës së dielë, por sido që të shkojë ajo punë, rasti i tij tregoi edhe një herë se çfarë institucionesh kemi ndërtuar në këto 30 vjet: institucione leshi.

Po e nis me Presidentin, si institucioni më i lartë, ai që është përgjegjës për imazhin kushtetues të vendit. Presidenti po refuzon të thotë nëse do ta refuzojë apo jo, por s’po fsheh se ka një problem me dekretimin e ministrit të ri të brendshëm. I ka mbetur përpjekjeve gazetareske, që këtë diskrecion të pajustifikueshëm të Presidentit, ta sqarojnë për kuriozitet dhe interes të opinionit publik. Duket se Presidenti është shumë i shqetësuar nëse Sandër Lleshi merr dy rroga: si gjeneral dhe në borderonë e qeverise. Si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe nga e diela, edhe si ministër i brendshëm. Deri këtu duket normale. Lleshi s’mund t’i bëjë të dyja. Pra me logjikë i duhet të heqë dorë nga njëra prej tyre. Një përplasje e tillë prapë me logjikë të thjeshtë, zgjidhej kollaj. Thirrej Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, thirrej Gjeneral Lleshi, thirrej ministrja e Mbrojtjes. Pas një çaji bërë nga teta në Presidencë, në prani dhe të këshilltarit ligjor të Presidentit, të Kryeministrit, bile dhe në prani të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, diskutohej çështja në të dyja planet, dhe Lleshit i thuhej të zgjidhte mes uniformës gri të gjeneralit dhe kostumit vjollcë të Rilindjes. Dhe në fund shtrëngonin duart të gjithë dhe ne jashtë, do të duartrokisnim për Shqipërinë Normale.

Por nuk ndodhi kjo. Prej një javë përplasja në heshtje për Lleshin, nuk ka parë as konsulta dhe as komunikime direkte, por vetëm përmes banaqeve televizive dhe ekraneve të lajmeve, përhapen mesazhe të koduara me shtrëngim nofullash dhe grushtash. Unë e kuptoj presidentin, dhe bashkohem në përbuzjen e tij civile, se që të bëhesh ministër nuk mjafton të kesh emrin Sandër dhe të jesh me origjinë nga Lezha ose rrethinat, por ky nuk është argument kushtetues. (Dua t’i kujtoj Presidentit, se kaq i mjaftoi ministrit të propozuar të brendshëm, të bëhej gjeneral nga presidenti paraardhës, gati një dekadë më parë). Unë e kuptoj presidentin, kur thotë se ka hallin e përgjegjshmërisë kushtetuese, por i kujtoj sërish paraardhësin e tij si kryetar shteti, i cili ishte shumë më i sinqertë në pozicionet e tij politike, por ama, nuk e bllokoi dekretimin e një tjetër ministri të brendshëm 13 muaj më parë. Pra nuk vuri në dyshim Kushtetutën.

Për këtë arsye më shumë se shqetësim, me duket tallje ajo deklaratë e presidentit për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Sepse nëse do të ishte i shqetësuar, së paku ai nuk duhej të bëhej pjesë e shkaqeve për hapjen e një dosjeje të re, asaj Lleshi, për t’u dorëzuar në këtë Gjykatë, që sot nuk ekziston, por t’i paraprinte asaj me një zgjidhje.

Kjo mungesë dashurie, nga kreu i shtetit për shtetin, mund të sillte një efekt domino dhe një seri shkeljesh ligjore dhe kushtetuese, që mund ta fusnin vendin në një kaos. Dhe këtu po e vazhdoj me aktorin e dytë të kësaj komedie tragjike qe po luhet në zyrat e pushtetit.

Kryeministri aktual që ka treguar në mos përbuzje, mosdijeni dhe indiferencë ndaj kushtetutës – gjë që e vërteton dhe me propozimin e Lleshit, pa shqyrtuar më parë pozitat e tij ligjore – mund të ecë para dhe të mos tërhiqet. Mund t’ia quajë presidentit shkelje të Kushtetutës dhe të klasifikueshme për impeachment. Po pastaj çfarë do bëjmë? Të shohim si shkarkohet një President pa 84 vota dhe pa Gjykatë Kushtetuese, për një shkak leshi? Domethënë për Gjeneral Lleshin?! Unë nuk di nëse është kjo në mendjen e Kryeministrit, por mazhoranca e tij vërtet ne maj 207, e votoi Presidentin aktual, por hundë e buze e uff e puff u vu në rresht në dhomën e fshehtë në kuvend. Unë nuk di sa Kryeministri do të mund të vazhdojë “indiferencën vrastare” ndaj kreut të shtetit, që ka nisur gati një vit më parë me dekretin e pafirmosur për kreun e SHISH. Por di, që nga mesnata e të shtunë-dielës, kjo heshtje nuk mund të vazhdojë. Kryeministri pas mesnatës ka detyrim ligjor dhe kushtetues, ose të na thotë se cilin emër tjetër do të propozojë për Ministër të brendshëm (Etilda Gjonaj do ishte emri perfekt), ose të na japë prova sesi do ta çojë vendin për lesh, për Gjeneral Lleshin (Sandrin) dhe gjithë arsyet e tjera, që e çuan të propozojë këtë emër për pasues të Fatmir Xhafës.

Unë mendoj që Presidenti dhe Kryeministri duhet të ishin ngritur mbi këtë situatë dhe llogaritë e supozuara për KLSH dhe Gjykatën Kushtetuese të mos i përdornin për ngritjen e këtij precedenti të rrezikshëm. Por kreu i shtetit ama, ka detyrën dhe detyrimin të mos ndajë papërgjegjshmërinë politike të kujtdo, në kurriz të Kushtetutës, vendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Këtë Precedent, ja ka bërë dhuratë paraardhësi i tij. Ta përdorë, sa kohë nuk është vonë, edhe për t’u “justifikuar” para kokave të nxehta që i kërkojnë atij përplasjen me Kryeministrin. Përplasjen le ta bëjë në politikë, por jo në Presidencë. Aty, ai i përfaqëson të gjithë, jo vetëm ata që nuk duan Kryeministrin.

Por e kuptoj, megjithëse nuk e mirëkuptoj, frustrimin e tij nëse nuk do ta bëjë këtë. Në këtë vend ka një shumicë në rritje që mendon me trishtim e zemëratë se mjafton të quhesh Sandër, të jesh nga Lezha, të jesh mik me Kryeministrin, që të bësh përpara në jetë. Në këtë vend, është normale të ulesh edhe në tryezë me armikun tënd të dikurshëm, edhe pse dikur shkëmbeje akuza për vrasje. Në këtë vend, ulesh këmbëkryq e han bukë, edhe me atë që dikur të nxirrte cullak në ekran e donte të të varroste politikisht e fizikisht. Në këtë vend kreu i opozitës del mbron ish-ministrin e brendshëm, të cilin prej një viti iu vu prapa si bleta mjaltit, për ta hequr. Kjo vetëm për të motivuar vazhdimin kaotik të një beteje, për të ardhur në pushtet. Dhe gjithçka duket sërish normale. Siç duket normale dhe interesante kur një ish-ministër të brendshëm, në vend të fliste qetë e pa ngarkesa, për drejtësinë që më në fund po i vihej në vend, del dhe flet si Edmond Dantes pas kthimit nga Chateau d’If.

Këtu gjithçka duket normale se ky është vendi që kemi ngritur vetë. Jo Rilindje, por Riciklim. Jo Republikë e re, por Republikë reklamash. Jo thelb, por formë. Jo ligj, por kanun. Dhe ndaj jemi këtu ku jemi. Me një Kryeministër Regjisor, një Kryeopozitar Aktor dhe një President Skenarist. Një film hollivudian me aktorë nga Bangladeshi. Një House of Cards, si kullë në Viçidol.

Një Shqipëri Leshi. Ose Lleshi.

Varet nga këndi i vështrimit.

Komento:
Loading...