Sfidat e mësimdhënies online

0
415

Nga Marsida Simo – Sociologe

Shumë prej nesh e ka dëgjuar një audio të regjistruar me zërin e një mësuese e cila nga njëra anë shpjegonte mësimin dhe nga ana tjetër shante fëmijët e saj për mos mbajtje qetësie. Sigurisht që njeriu merr disa role të caktuara në ditën e tij dhe kjo varet nga puna që bën, angazhimi që ka, dhe vendi ku ndodhet. Në një situatë të tillë ku ndodhemi për më shumë se 20 ditë, nuk është e thjeshtë të punosh nga shtëpia si profesioniste, të kesh drekën gati si një amvisë e mirë, të përgatisësh fëmijët me detyrat e tyre si një prind i përgjegjshëm, e me radhë. Pavarësisht zotësisë për të bërë shumë gjëra në një kohë, nuk mund të pretendojmë maksimalen për të gjitha. Kur ti del nga shtëpia, vishesh me rrobat e kombinuara, vesh uniformën e punës, merr seriozitetin e duhur, nxjerr performancën që të duhet. Ndërsa në kushtet e shtëpisë, me pizhamat e gjumit, me lajmet e kronikës së zezë në sfond dhe kërkesat e vazhdueshme të fëmijëve, puna kthehet më shumë se në angari. Ndoshta ka shumë punë që këtë periudhë po kryhen nga shtëpia, por ajo që po diskutohet më shumë është ajo e mësimdhënësit. Megjithatë, ashtu si mjekët që janë në mision të drejtpërdrejtë, edhe mësuesit e kanë një detyrë të veçantë.

Nga njëra anë është problemi i aksesit në internet nëse është i mundur nga të gjithë dhe në çdo cep i vendit tonë, pastaj janë mësuesit e vjetër të cilët nuk janë aq komod me teknologjinë e re, si dhe rezultatet që do na japi në fund kjo lloj metode e përdorur.

Që po shkonim drejt virtualitetit dhe përsosjes së metodave të teknologjisë, këtë e nuhasnim të gjithë. Por që do na vinte nevoja kaq papritur për të përdorur internetin si opsion të vetëm për mësimdhënie, nuk e perceptojmë ende dot. Brenda pak ditëve, u vendos që lidhja me e sigurt midis njëri tjetrit do jetë ajo përmes xhamit të ftohtë e ekranit të telefonit apo kompjuterit. Madje edhe vetë mësuesit iu sugjerua që të vazhdonin të jepnin mësim pikërisht me anë të telefonit, këtë mjet kaq të pa dëshiruar më parë, kur nxënësi e përdorte në orën e mësimit. Tani pothuaj të gjithë jemi në pjesën më të madhe të ditës me telefon në dorë.

Nga këndvështrimi i nxënësve

Fëmijët e kopshtit

Një pjesë e kopshteve, me tepër ato private, kanë udhëzuar që çdo edukatore në aplikacionin whatsapp, të formojë grupin e saj ku komunikon me nënat e fëmijëve. Çdo ditë ngarkon video 2-5 minuta me detyra, vjersha, vizatime etj. që ia sugjeron të vegjëlve. Pra si rrjedhojë, vetë caktohen nënat me këtë detyre në transmetimin e mësimdhënies për fëmijët e tyre. Pas realizimit të detyrës, fëmijët duhet të bëjnë video dhe t`ja dërgojnë sërish mësueses. Më pas ata kalojnë orë duke parë edhe shoqet dhe shoqet sesi kanë punuar duke e shtuar kështu kohën e të qëndruarit përpara telefonit. Nënat mundohen që punët e fëmijëve të tyre të realizohen me përpikmëri, deri diku si një konkurs midis tyre. Ka edhe kopshte private të cilat përdorin aplikacionin Zoom, i cili mundëson lidhje direkt me video të disa personave njëkohësisht, siç ka edhe kopshte që deri tani nuk ka asnjë kontakt nga ana e stafit.

Sh, nënë e një vajze 4 vjeçare në një kopsht, shprehet “I sugjerova edukatores të bëjmë sikur një herë në javë takim me video të gjithë së bashku. Të them të drejtën hasa refuzim dhe stepje duke marrë si justifikim se fëmijët bëjnë zhurmë dhe nuk përqendrohen. Po fundja më mirë komunikim të tillë qoftë edhe 5 minuta duke shkëmbyer disa zëra në kohë reale sesa një video e regjistruar dhe kaq.”

Fëmijët e arsimit bazë dhe 9-vjeçar

Fëmijët që janë në arsimin bazë, po ashtu po mësojnë kryesisht me metodën e aplikacionit të Whatsapp-it. Edhe në këtë rast, telefoni administrohet nga prindërit, kryesisht nënat. Mësuesit japin mësimin e shpjeguar me audio dhe video, ose duke e shkruar. Po ashtu kalojnë edhe testet, ku do të jetë vetë prindi që do e monitorojë fëmijën e tij kur ai ta plotësojë. Madje prindi duhet ta marri testin si foto dhe ta shkruajë në fletë A4 për fëmijën e tij. Më shumë se sa për fëmijën, kjo mësimdhënie po kthehet në stres të madh për prindin.

A, mësuese në shkollën 9-vjeçare tregon këtë sms nga një prind “Mësuese ne jetojmë në Dajt dhe ka pak probleme me internetin këtu. Ndër të tjera koha e mësimit është shumë e gjatë dhe ai po kalon shumë orë më telefon. Ju lutem reduktoni orarin sepse e shoh që dhe durimi i tij po bie çdo ditë.”

Fëmijët e arsimit parauniversitar

Duke qenë si më të rritur këta fëmijë janë vetë pjesëtar në grupet e whatsapp-it që administrohet nga mësuesi tyre. Ka një grup për çdo lëndë me mësuesin përkatës. Madje nxënësit kanë edhe grupe me njëri tjetrin ku komunikojnë për diskutime të ndryshme. Këto ditë ata janë të ngarkuar me projekte dhe teste të cilat do vlerësohen me notë. Kur vjen momenti i testimit, kjo është në dorën e nxënësit nëse do e plotësojë në bazë të njohurive të tij, apo do kërkojë ndihmën nga prindërit, google, apo grupi tjetër i shoqeve që po komunikon paralelisht.

Nga këndvështrimi i mësuesve

Mësuesve zakonisht iu ngarkohet një detyrë, dhe rrallë herë pyeten sesi ndihen, çfarë nevoje kanë, si mund ata të sugjerojnë ide apo metoda. Ata thjesht duhet të vazhdojnë të shpjegojnë temat sipas planit dhe të bëjnë vlerësimet që të mbyllin tremujorin.

Mësuesit realisht po hasin shumë vështirësi me këtë metodë virtuale.

1-Mësuesi ende është i kapur fort pas tradicionales

Mësuesi e sheh veten komod kur është përballë nxënësve dhe ka dërrasën e zezë afër, regjistrin para dhe të thërrasë 3-4 nxënës në mësim. Kjo metodë shekullore ende vazhdon të trashëgohet brez pas brezi, kohë pas kohe duke u rrënjosur si mendësi e vetme. Dalja nga rutina krejt pa pritur e gjeti mësuesin në ngërç nëse do përshtatet dot më mësimin online. Sidomos mësuesit më në moshë, kanë akoma më shumë vështirësi në përdorimin e teknologjisë.

M, mësuese në shkollën 9- vjeçare në qendër të Tiranës shprehet “Kam angazhuar bashkëshortin dhe vajzën time që të më bëjnë videot dhe montimin e tyre se unë nuk marr vesh shumë. Vitin tjetër dal në pension.”

2 -A funksionojnë trajnimet?

Vitet e fundit mësuesit kanë bërë shumë trajnime, edhe të kërkuara këto për kualifikimin e tyre. Një pjesë e mirë e trajnimeve lidhen edhe me metodat e teknologjisë që të ndërlidhen me mësimdhënien klasike. Madje një pjesë e mirë e mësuesve janë trajnuar edhe për regjistrin elektronik, i cili deri më sot nuk është vënë në zbatim pasi regjistrat ende vazhdojnë të jenë në formën e vjetër. Si pasojë na bën të mendojmë se këto trajnime nuk e kanë bërë punën e tyre, ose mësuesit kanë nevojë për trajnime të cilat i përkasin nevojave të vërteta të punës dhe profesionit të tyre.

3- A është vlerësimi i nxënësit real?

Kur mësuesi jep një detyrë klase me anë të whatsapp-it, ai nuk ka siguri që nxënësi po e shkruan vetë. Edhe testet që po kryen këtë periudhë shihen me dyshin nëse është realizuar 100 % nga vetë nxënësit apo jo.

U, mësuese në një shkollë të mesme në Bashkinë Kamëz thotë: “I dërgova testit me foto dhe për 45 minuta secili kishte kohë ta plotësonte. Më pas mi dërgojnë po me foto. Disa mi sjellin foto të cilat nuk dallohen mirë, ca i sjellin fotot shtrembër ose me shkrimin që nuk e kuptoj qartë. Më pas edhe korrigjimi më mundon pasi duhet të qëndroj para ekranit që të shoh herë testin e fotografuar herë shënimet e mia. Disa nxënës më rezultojnë me nota më të larta seç ata kanë pasur në tremujorin e parë. Kjo më bën të dyshoj që kanë kopjuar. Kur dyshoj më duhet ta marr në telefon dhe ta pyes me zë. Por kjo kërkon shumë kohë dhe është stresuese.”

4- A mund të vazhdohet për shumë kohë kështu?

Mësimdhënia online nuk është më perfektja, por jo e pamundur. Sidomos për lëndët e shkencave natyrore, duhen edhe mjete pune apo laboratorike të caktuara për të zhvilluar mësimin. Periudha e pandemisë do t`i vijë fundi një ditë dhe do kthehemi në jetët tona normale, por nuk mund t`i rikthehemi mësimdhënies tipike siç kemi bërë këtu e dekada më parë. Duhet të vijë sa më shpejt dita ku teknologjia nuk mund të jetë më mjet luksi apo të përdoret vetëm për argëtim. E ardhmja do të na përplasë në të tjera sfida dhe tashmë duhet të jemi të përgatitur për çdo rast. Madje mësimdhënia online mund të jetë opsion shumë i mirë edhe për situata mëse normale, për të gjithë ata që duan të marrin njohuri më shumë pa qenë nevoja të ndodhen fizikisht në klasa.

Mësuesit, nxënësit dhe prindërit, duhet të flasin sa më shpejt. Ndërsa drejtuesit, dhe institucionet përkatëse të dëgjojnë më shumë dhe të ofrojnë më shumë opsione dhe lehtësira.

Komento:
Loading...