Pse njerëzit martohen me personin e gabuar…

0
301
Loading...

 

Çdokush me të cilin mund të martohemi, sigurisht, mund të jetë paksa i gabuar për ne. Ne nuk presim hare çdo ditë. Ne e dimë se përsosmëria është pretendim i tepërt. Sidoqoftë, ka çifte që shfaqin një papajtueshmëri kaq të thellë, një ngacmim dhe zhgënjim aq të madh, saqë duhet të konkludojmë se diçka tjetër është në valle përtej kreshtës normale: ata duken se janë martuar me përsonin e gabuar. Si ndodhin të tilla gabime, në kohën tonë të shkollimit të madh e të pasurimit me dije si kurrë mëparë në histori?

Mund të themi në mënyrë të drejtpërdrejtë se ato ndodhin me një lehtësi dhe rregullsi tmerruese. Arritjet akademike dhe suksesi në karrierë duket se nuk ofrojnë vaksina për këtë. Përndryshe njerëzit inteligjentë e të suksesshëm s’do gabonin kurrë. Duke mbajtur parasysh se bëhet fjalë për të vetmin dhe më të kushtueshmin gabim që secili prej nesh mund të bëjë (ai i vë barra mjaft të mëdha shtetit, punonjësve gjithashu dhe brezit të ardhshëm), po t’i listonim të gjitha efektet e një martese të gabuar do të dukej se ka pak çështje më të rëndësishme në jetën e njeriut sesa të martohesh me zgjuarsi.

Për më tepër, është vërtetë e çuditshme se arsyet pse njerëzit bëjnë zgjedhje të gabuara janë mjaft të lehta për t’u hedhur në letër dhe aspak surprizuese në strukturën e tyre. Ne e shkatërrojmë jetën tonë për arsye që mund të përmblidhen shukurtimisht në një ese. Ato priren t’u përkasin disave prej kategorive themelore të mëposhtme:

Një: Ne nuk kuptojmë veten tonë

Kur fillimisht kërkojmë për një partner, kërkesat me të cilat përballemi janë të larmishme për nga paqartësia e bukur sentimentale: ne themi se me të vërtetë duam të gjejmë dikë që është “i dashur” ose “ke kënaqësi të rrish me të”, “tërheqës” ose “i/e gatshëm për aventura…”

Nuk është se të paturit dëshira të tilla është e gabuar, por ato nuk janë aspak të afërta me kuptimin e asaj duhet të kërkojmë me qëllim që të kemi një shans për të qënë të lumtur – ose, më me saktësi, të mos gjendemi vazhdimisht në mjerim. Të gjithë ne jemi të çmendur në mënyra shumë të veçanta, pra kemi të meta. Ne jemi në mënyrë të dallueshme neurotik, të pabalancuar dhe të papjekur, por nuk i dimë tamam të metat tona sepse askush nuk na inkurajon mjaftueshëm për t’i zbuluar ato. Një detyrë urgjente, primare e çdo të dashuruari është të marrë në zotërim mënyrat specifike në të cilat ata janë çmendur.

Ata duhet të përshpejtojnë që të ngrihen e të qëndrojnë mbi neurozat e tyre individuale. Ata duhet të identifikojnë nga vijnë ato, çfarë i nxit ato të shfaqen, dhe më e rëndësishmja, çfarë lloj njerëzish i provokojnë ose i qetësojnë ato. Një partneritet i mirë nuk është dhe aq shumë një ndërmjet dy njerëzve pa të meta (nuk ka dhe aq shumë të tillë në planet) por është një që qëndron ndërmjet dy personave me të meta të cilët kanë pasur aftësinë apo fatin për të gjetur një strehim jokërcënues dhe të ndërgjegjshëm në çmenduritë e tyre relative.

Pyetja është vetëm se ku t’i çojmë të metat (mangësitë) tona: ndoshta ne kemi një tendencë të heshtur për t’u zemëruar kur dikush nuk bie dakort me ne, ose thjesht gjejmë qetësim vetëm kur jemi duke punuar, ose kemi paksa ndërlikime rreth intimitetit pas seksit, apo nuk kemi qënë kurrë kaq të mirë e të zotët për të shpjeguar me fjalë se çfarë po ndodh në kokat dhe në zemrat tona kur jemi të shqetësuar.

Janë këto lloj çështjesh që – gjatë dekadave – krijojnë katastrofa dhe për këtë arsye ne duhet t’i dimë para kohe, sa më herët, në mënyrë që të kujdesemi për t’u njohur e për t’u lidhur me njerëzit që janë të dizenjuar në mënyrë optimale për t’i përballur ato. Një pyetje standarte për çdo takim të parë në një njohje të re duhet të jetë thjesht: “Më fol pak për të metat tua!?”

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/woody.jpg
Nëntor 1974: Woody Allen dhe Diane Keaton në komedinë “Dashuria dhe vdekja”, e vendosur në Rusi gjatë Luftërave Napoleonike. (Foto nga Ernst Haas /

Problemi është se njohja e neurozave tona nuk është dhe aq e lehtë. Mund të duhen vite dhe situata të befasishme me të cilat jemi përballur pa patur kurrfarë përvoje. Para se të martohemi, rrallë na qëllojnë dinamika të cilat mund të nxjerrin në sipërfaqe çrregullimet tona. Sa herë që marrëdhëniet e rastësishme e gërvishtin paksa në sipërfaqe anën e “vështirë” të natyrave tona, ne priremi të fajësojmë partnerin.

Sa i përket miqve tanë, ata nuk duan t’ia dinë edhe aq për ne që të kenë ndonjë motiv për të hetuar e eksploruar veten tonë të vërtetë që pastaj të plotësojnë një katalog me mangësitë tona e të na e bëjnë dhuratë për ditlindje. Ata thjeshtë duan një mbrëmje të mirë jashtë. Prandaj, ne përfundojmë të verbër në anët e çuditshme të natyrës sonë. Kurse vetë ne, kur jemi të zemëruar, nuk bërtasim, pasi nuk kemi askënd që të dëgjojë – dhe për këtë arsye nuk arrijmë të kuptojmë forcën e vërtetë, dhe aq katastrofale të kapacitetit tonë për tërbim.

Ose ne i ngulemi punës natë e ditë, sepse nuk kemi dikë që na thërret për darkë, dhe e përdorim punën si të vetmin mjet për të fituar kontroll mbi jetën – dhe jemi në gjendje ta sjellim ferrin në Tokë nëse dikush përpiqet të na ndalojë. Në mbrëmje, e gjithë ajo për të cilën ne jemi të vetëdijshëm është se sa gjë e ëmbël do të ishte të përqafonim dikë, por nuk kemi mundësi të përballemi me atë shmangien e intimitetit që do të fillonte të na bënte të ftohtë dhe të huaj nëse kemi ndjerë ndonjëherë se kemi qënë thellësisht të përkushtuar ndaj dikujt.

Një nga privilegjet më të mëdha të të qënurit në rehati me veten tonë është iluzioni i hijeshuar, në të vërtetë, se një person e ka mjaft të lehtë të jetojë vetëm me veten e tij. Me një nivel të tillë kaq të cekët të kuptimit të karaktereve tona, nuk është çudi e madhe të mos kemi asnjë premisë për të ditur se kë duhet të kërkojmë.

Dy: Ne nuk i kuptojmë të tjerët

Ky problem është i koklavitur sepse edhe njerëzit e tjerë kanë ngecur në të njëjtin prag të ulët të njohjes së vetes sikurse jemi ne. Sado mirëkuptim të ketë, ata gjithashtu nuk janë në gjendje të kuptojnë, e lëre pastaj të na informojnë, se çfarë nuk shkon me ta.

Natyrisht, ne bëjmë tentativa në përpjekjen për t’i njohur ato. Ne shkojmë dhe takojmë familjet e tyre, mbase vendin ku kanë shkuar së pari në shkollë. Ne shohim fotot, takojmë miqtë e tyre. E gjithë kjo kontribuon për të na krijuar një ndjenjë sikur i kryem detyrat tona, u njohëm tashmë! Por e gjitha kjo i ngjan një piloti fillestar që e gënjen mendja se mund të fluturojë pasi ka hedhur një avion letre në një fluturim të suksesshëm nëpër dhomë.

 

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/60scouple.jpg
Kredia e detyrueshme: Foto nga Bruce Çifti në një debat

Në një shoqëri më të mënçur, partnerët e ardhshëm do të vendosnin pyetësorë psikologjik të detajuar dhe do të dërgonin veten jashtë për t’u vlerësuar gjërësisht nga ekipi i psikologëve.  Deri në vitin 2100, kjo nuk do të tingëllojë më si shaka. Misteri do të mbetet vetëm asryeja përse iu desh kaq shumë kohë njerëzimit për ta kuptuar këtë.

Ne duhet të dimë funksionimin intim të psikikës së personit me të cilin planifikojmë të martohemi. Ne duhet të dimë qëndrimet e tyre, apo sjelljet ndaj autoritetit, poshtërimit, introspektit, intimitetit seksual, projeksioneve, parave, fëmijëve, plakjes, besnikërisë dhe qindra gjërave të tjera përveç këtyre. Kjo njohje e plotë nuk arrihet nëpërmjet një bisede standarde. Në mungesë të të gjithë këtyre elementëve, ne bazohemi – në masë të madhe – tek pamja e tyre.

Sigurisht që ka shumë informacion për t’u mbledhur nga sytë, hunda, forma e ballit, shpërndarja e piklave, buzëqeshja e tyre. Por kjo është gjithashtu po aq e mençur sa të mendosh se një fotografi e pjesës së jashtme të një centrali nuklear mund të na tregojë çdo gjë që duam të dimë për atomikën bërthamore. Ne “u atribuojmë” një varg të madh përsosmërish të dashurve tanë duke u bazuar tek një e dhëne e vogël, pamja e tyre. Në vlerësimin e një personaliteti të tërë duke u nisur nga pak detaje, ne po bëjmë me karakterin e brendshëm të një personi atë çfarë sytë tanë zakonisht bëjnë me skicën e një fytyre.

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/Matisse_La-pompadour_19511-1.jpg

Ne nuk e shohim këtë pikturë si të dikujt që nuk i ka vrimat e hundës, me tetë spirale flokë dhe pa qerpikë. Madje pa e kuptuar veten tonë se e bëjmë një veprim të tillë, ne i plotësojmë vetë pjesët munguese.

Arkitektura e trurit tonë është e tillë që me lëndën e parë e cila vjen nëpërmjet shqisave të disa detajeve vizuale të krijojmë figura të plota me to – dhe në të njëjtën mënyrë veprojmë edhe ne me plotësimin e karakteristikave të partnerit tonë të ardhshëm.

Ne jemi – shumë herë më tepër nga ç’pandehim, dhe komplet në kurrizin tonë – artistë të pandreqshëm të shtrembërimit.

Niveli i njohurive që na nevojitet për të krijuar një martesë që realisht funksionon është më i lartë sesa ai që shoqëria është në gjendje të na ofrojë, akomodojë, e mirëpresë – e për rrjedhojë edhe të gjitha praktikat në lidhje me martesat janë thellësisht të gabuara.

Tre: ne nuk jemi mësuar me të qënit të lumtur

Ne ecim me atë pandehmën se lumturinë duhet ta kërkojmë tek dashuria por nuk është kaq e thjeshtë. Ajo që herë pas here duket se vërtetë kërkojmë është familiariteti – e kjo mund ta komplikojë çdo plan që mund të kemi patur për arritjen e lumturisë. Në marrëdhëniet si të rritur ne risjellim disa nga ndjenjat që njihnim në fëmijëri. Ishim si fëmijët kur u njohëm fillimisht dhe kuptuam se çfarë do të thoshte dashuria. Por për fat të keq, leksionet që kemi nxjerrë mund të mos kenë qënë aq të drejtpëdrejta.

Ajo lloj dashurie që njohëm kur ishim fëmijë mund të jetë e ndërthurur me dinamika të tjera, më pak të këndshme, si: të qënët nën kontroll të vazhdueshëm, të provosh ndjesinë e të qënit i poshtëruar, i turpëruar, duke të braktisur, duke mos komunikuar, shkurtimisht: duke vuajtur.

Kur rritemi pastaj, ne shkojmë deri aty sa të refuzojmë kandidatë e duhur të cilët i takojmë, jo sepse ata janë gabim, por pikërisht sepse ata janë tejmase të mirë-balancuar (të matur, shumë të kuptueshëm, shumë të besueshëm), dhe kjo drejtësi (në filtrin e asaj që dinim si fëmijë) duket e panjohur dhe aliene, thuajse shtypëse. Në martohemi me njerëzit e gabuar sepse ata të duhurit na japin ndjesitë e gabuara – të pamerituara; sepse ne nuk kemi një përvojë mjaftueshëm të shëndetshme, sepse tek e fundit nuk e barazojmë ndjenjën e të qënit i dashuruar me atë të të qënit të kënaqur.

Katër: Të qënit i vetëm është kaq e tmerrshme

Dikush nuk është kurrë në një gjendje të mirë mendore për të zgjedhur një partner me mënçuri kur të mbeturit vetëm është një gjëndje e padurueshme. Ne duhet të ndjehemi jashtëzakonisht në shoqëri të mirë kur jemi vetëm për vetëm me veten tonë, për shumë vite madje, duhet të sprovohemi e të dimë të jemi vetmitarë të zotë, me qëllim që të kemi shans për të krijuar një marrëdhënie të mirë. Ose do të përfundojmë duke u dashuruar më shumë me idenë e të mos mbeturit i vetmuar më tepër sesa me personin që na shpëtoi nga një gjendje e tillë.

Për fat të keq, pas njëfarë moshe, shoqëria e bën vetminë (beqarinë) veçanërisht të pakëndshme dhe të rrezikshme. Jeta në komunitet fillon të vyshket, çiftet e martuara janë tepër të kërcënuara nga pavarësia e vetmisë së tjetrit që t’u bëjnë ftesa për të dalë, një person normal fillon të ndihet çuditshëm kur shkon vetëm në kinema. Jeta seksuale është e vështirë të bëhet kënaqshëm. Përpos të gjitha mjeteve të reja dhe liritë e supozuara të modernitetit, mund të jetë shumë e vështirë të ‘kapësh’ dashnore – dhe të shpresosh ta bësh këtë gjë rregullisht me femra të tjera, herët a vonë do të jesh i detyruar të përfundosh në zhgënjim sidomos pas të 30-ve. (Kur kalon mosha, s’ta var njeri!)

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/bar-1.jpg
Një barist që ulet në bar duke mbajtur në dorë një pije, duke menduar

Ndaj, të martohesh vetëm që t’i ikësh beqarisë, apo ta shmangësh atë, të bën dëm ty, asaj apo atij që martohet me ty, dhe gjithë shoqërisë. Opsione të tjera janë të mundshme në këto raste…

Kur seksi lejohej vetëm pas martese, njerëzit e kuptuan se kjo i çoi në martesa të gabuara: sa për të marrë diçka që ishte artificialisht e kufizuar në tërësi si shoqëri. Njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhje më të mira se me kë martohen kur me fjalën zgjedhje nuk barazohet shprehja e një dëshire të dëshpëruar për seks.

Ka ardhur koha që shoqëria midis dy personave të mos jetë thjeshtë për të harxhuar kohën e lirë dhe përfshirja seksuale të mbetet ekskluzive për çiftet, duhet më tepër lirshmëri, kalimi nga shokë – në të dashur, nuk duhet të paragjykohet dhe duhet të bëhet pa ndonjë dramë të madhe, të jenë gjithashtu të disponueshëm seksualisht për njëri tjetrin.

Pesë: Instinktit i japim shumë prestigj

Në kohët jo fort të hershme, martesa ishte një biznes racional; E gjitha kishte të bënte me bashkimin e pronave tuaja me të tyren. Ajo ishte e ftohtë, e pamëshirshme dhe e shkëputur nga lumturia e protagonistëve. Ne jemi ende të traumatizuar nga kjo.

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/medieval1.jpg
Miniaturë mesjetare. Takimi i Senatit Romak. Diskutim mbi martesën midis një gruaje plebeje dhe një patriarku romak. Shekulli 15.

Ajo që e zëvendësoi më pas martesën e arsyes ishte martesa e instinktit, martesa romantike. Që bazohej në parimin se ndjesitë që dikush kishte për dikë duhet të ishin të vetmet udhëzuese për martesën. Nëse dikush ndjehej “i dashuruar”, kjo ishte e mjaftueshme. Nuk bëhej më asnjë pyetje. Ndjenja ishte triumfuese. Të jashtmit mund të duartrokasin vetëm arritjen e ndjenjës, duke e respektuar atë siç do të bënim me diçka që ka frymë hyjnore.

Prindërit mund të ishin të tronditur nga bashkime të tilla, por duhet të mendonin se vetëm çifti e dinte më mirë se kushdo tjetër se çfarë ishin për njëri-tjetrin.

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/marilyn1.jpg
Marilyn Monroe përgatitet të puthë burrin e saj ish-lojtarin amerikan të Baseball Joe DiMaggio pas martesës së tyre (Foto nga Popperfoto )

Pra, kaq e përpiktë dhe e kujdesshte ishte ajo e stilit të vjetër “martesa e arsyes” saqë një nga karakteristikat e “martesës së ndjenjës” është besimi tek ajo se nuk duhet të mendojmë fort përse po martohemi. Analizimi dhe stërhollimi i vendimit e bënte atë të dukej “jo romantike”.

Të shkruash listat e të mirave dhe të këqijave të partnerit duket absurde dhe e ftohët. Gjëja më romantike që mund të bëjmë është thjesht të propozojmë shpejt dhe papritur, ndoshta pas vetëm pak javësh, me një nxitje entuziazmi – pa asnjë mundësi për ta bërë “arsyetimin” e tmerrshëm të stilit të vjetër që u garantonte mjerimin njerëzve mijëra vjet më parë. Pakujdesia në këtë lojë duket një shenjë se martesa mund të funksionojë, pikërisht sepse lloj i vjetër i “sigurisë” e vinte në rrezik të madh lumturinë e dikujt.

Gjashtë: Ne nuk kemi ndonjë lëndë në shkollë që na mëson për dashurinë

Ka ardhur koha për një lloj të tretë të martesës. Martesa e Psikologjisë. Një martesë në të cilën nuk martohemi për “pasurinë” ose për “ndjenjën” vetëm, por një në të cilën “ndjenjat” i shfaqin të gjitha ngjyrat e tyre, pa i frenuar, pa i shtypur ato (që të dukesh mirë në syrin e tjetrit) derisa secili të bëjë një matje të saktë të temperamentit të vet dhe të tjetrit.

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/LOVE1.jpg
Fëmijët e shkollave ecin pas letrave tre-dimensionale që tregojnë fjalën dashuri në shfaqje për festimet e Shën Valentinit në një shitore në Xhakarta më 11 shkurt 2011.

Aktualisht, martohemi pa asnjë informacion. Ne pothuajse asnjëherë nuk lexojmë libra në mënyrë specifike mbi këtë temë, nuk shpenzojmë më shumë sesa disa çaste me fëmijët, nuk i analizojmë seriozisht çiftet e tjera të martuara apo të flasim me sinqeritet me të divorcuarit. Ne (i futemi pyllit pa sopatë) turremi në martesë pa patur as më të voglën ide përse martesat dështojnë – përtej asaj që ne supozojmë të jetë idiotësi apo mungesa e imagjinatës së protagonistëve të tyre. Në epokën e “martesës së arsyes”, ata që donin të martoheshin, mund të kenë konsideruar kriteret e mëposhtme:

– cilët janë prindërit e tyre?

– sa tokë kanë?

– sa të ngjashme janë kulturat?

Kurse në epokën romantike të dashuruarit mund të kenë shikuar për këto shenja tek njëri tjetri:

–  a i rri mendja vetëm për një dashnor të ri?

– a është maniak seksual?

– a i ka hyrë vetja në qejf?

– a është fiksuar keq pas meje?

Ka ardhur koha dhe kemi nevojë për një sërë kriteresh të reja. Ne duhet të pyesim:

– në çfarë mënyrash tërbohet ky njeri?

– si mund t’i rritim fëmijët me ta?

– si mund të zhvillohemi së bashku?

– si mund të mbetemi të miqësuar pavërisht të gjithave?

Shtatë: Ne duam ta përzgjasim me çdo kusht lumturinë

Ne kemi një dëshirë të dëshpëruar dhe fatale për t’u përpjekur ta bëjmë lumturinë të përhershme. Ne duam të marrim veturën që na pëlqen, ne duam të jetojmë në vendin që na pëlqyen kur e vizituam si turist. Dhe ne duam të martohemi me personin me të cilin kalojmë një kohë të mrekullueshme. Ne imagjinojmë se martesa është garantuesja e lumturisë që jemi duke shijuar me dikë.

Ajo do ta bëjë të përhershme atë që në kushte të tjera do ta shijonim vetëm në pak çaste. Kjo do të na ndihmojë të përjetojmë gëzim të madh – gëzimin që ndjemë kur na erdhi propozimi i parë: kur ishim në Venecia, në lagunë, në një motobarkë, me diellin e mbrëmjes që lyen me të artë anëmbanë detit, perspektivën e darkës në një restorant të vogël peshku, të dashurin tonë në një bluze kashmiri mbështetur në krahët tanë … U martuam për ta bërë këtë ndjesi që të zgjaste përgjithnjë. Kështu?

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/hepburn.jpg
Katharine Hepburn (1907 – 2003) dhe Rossano Brazzi në Venecia, për të shtënat e filmit “Summer Madness”.

Për fat të keq, nuk ka anjë lidhje shkakësore të nevojshme midis martesës dhe kësaj lloj ndjenjeje. Ndjenja u prodhua nga Venecia, nga një kohë e caktuar gjatë ditës, në kohë çlodhjeje, në një relaksim në darkë, nga në një njohje dy mujore me dikë … asnjërën prej të cilave nuk krijon apo garanton “martesa”. Martesa nuk i ‘ngrin’ këto momente të bukura që ti kemi tonat në çdo sekondë e në përjetësi.

Ato momente varen prej faktit se ju kishit pak kohë njohje me njëri tjetrin, se ishit me pushime, se ishit duke qëndruar në një hotel të bukur sëbashku, se do të kalonit një pasdite të këndshme në muzeun Guggenheim, apo sapo kishit marrë një akullore çokollate… Të martohesh nuk është fuqia që të duhet për të mbajtur një marrëdhënie në këtë shkallë të bukur. Nuk është në komandën e përbërësve të lumturisë sonë në atë pikë. Në fakt, martesa do të zhvendosë marrëdhënien në një moment tjetër, shumë të ndryshëm: në një shtëpi në periferi, e dy fëmijë të vegjël.

I vetmi përbërës i përbashkët i dy situatave mësipër është partneri. Dhe imangjino sikur ky të jetë ai i gabuari. Piktorët impresionistë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kishin një filozofi të drejtuar kah përkohshmëria a gjërava, çka është edhe mënçuria që na duhet sot. Ata e pranuan përkohshmërinë e lumturisë si një tipar i natyrshëm i ekzistencës dhe kjo mund të na ndihmojnë të gjejmë më shumë në paqe me të. Piktura e Sisley e një skenë dimri në Francë përqendrohet në një grup gjërash tërheqëse por krejtësisht të arratisura. Deri në muzg, dielli gati përhapet përmes peizazhit. Për pak kohë, shkëlqimi i qiellit i bën degët e zhveshura më pak të rënda. Dëbora dhe muret gri kanë një harmoni të qetë; i ftohti duket i përballueshëm, pothuajse emocionues. Në pak minuta, dhe nata do bjerë.

http://konica.al/wp-content/uploads/2017/08/wateringplace.jpg

Impresionizmi është një rrymë që u mor pikërisht me faktin se gjërat që duam më së shumti ndryshojnë, janë përreth vetëm për një kohë shumë të shkurtër dhe pastaj zhduken. Ai celebron llojin e lumturisë që zgjat disa minuta, në vend të viteve. Në këtë pikturë, dëbora duket e bukur; por do të shkrihet. Qielli është i bukur në këtë moment, por është gati të errësohet.

Ky stil i artit kultivon një aftësi që shtrihet përtej vetë artit: një aftësi për të pranuar dhe ndjekur momente e shkurtra të kënaqësisë. Majat e jetës kanë tendencë të jenë të shkurtra. Lumturia nuk vjen në blloqe njëvjeçare. Me impresionistët që të na udhëheqin, ne duhet të jemi të gatshëm të çmojmë momente të izoluara të parajsës së përditshme sa herë që ato të vijnë në rrugën tonë, pa rënë në grackën e të menduarit të tyre si të përhershme; pa pasur nevojë t’i kthejmë ato në një “martesë”.

Tetë: Ne ecim me atë bindjen e thellë se jemi të ndryshëm nga të tjerët

Statistikat nuk janë hiç shpresëdhënëse. Gjithkush i ka parasysh mjaftueshëm shembuj të martesave të tmerrshme. Ata kanë parë shokët e tyre të provojnë të dalin nga krizat e një martesë të gabuar dhe të mos ia dalin. Ata e dinë shumë mirë se – në përgjithësi – martesat përballen me sfida të mëdha. E, praseprapë nuk i përdorim këto situata në favorin tonë duke nxjerrë mësime prej tyre.

Nëntë: ne duam të ndalojmë së menduari për Dashurinë

Para se të martohemi, ka të ngjarë që të kemi patur shumë vite trazirash në jetën tonë dashurore. Ne jemi përpjekur të lidhemi me njerëz që nuk na kanë pëlqyer, kemi krijuar dhe shkatërruar lidhje, kemi dalë në festa të pafundme, me shpresën se do të njihnim dikë, dhe kemi njohur emocione dhe zhgënjime të hidhura. Nuk është çudi nëse, në një pikë të caktuar, ne ngopemi nga të gjitha këto.

Nuk mundet dhe nuk do të ndodhë: ka po aq shumë dyshim, shpresë, frikë, refuzim dhe tradhëti në një martesë ashtu sikurse ka në jetën e beqarëve. Është vetëm nga pamja e jashtme që një martesë duket e qetë, pa shumë ngjarje dhe ëmbëlsisht e mërzitshme.

***Përgatitja për martesë është, në mënyrë ideale, një detyrë arsimore që bie mbi kulturën në tërësi. Kemi ndaluar së besuari në martesat dinastike. Ne po fillojmë të shohim pengesat e martesave romantike. Tani vjen koha për martesat psikologjike, të cilat do të sjellin një jetë të mirë ty, atij apo asaj që po marton dhe gjithë shoqërisë dhe brezave që do vijnë…

Komento:
Loading...