Pabarazia në pasuri: 91 mijë shqiptarë “ndajnë” 4.1 miliardë euro

0
93
Loading...

3.2% e shqiptarëve zotërojnë së bashku rreth 4.1 miliardë euro depozita bankare. Pjesa tjetër prej 97% e individëve, e marrë së bashku, zotëron rreth 3.2 miliardë euro. Publikimi i raportit vjetor të agjencisë së sigurimit të depozitave është kthyer një lloj barometri për të matur pabarazinë financiare të shqiptarëve.

Në fund të vitit të kaluar, vlera e depozitave të individëve që kalojnë vlerën ligjore të sigurimi, prej 2.5 milionë lekësh, arriti në total në 516 miliardë lekë. Këto 516 miliardë ose 4.1 miliardë euro lekë ndahen në më pak se 91 mijë individë.

Krahasuar me vitin 2017, megjithatë, vlera e depozitave që kalojnë vlerën ligjore të mbulimit ka rënë me 15 miliardë lekë, ndërsa numri i individëve që zotëronin më shumë se 2.5 milionë lekë ka rënë me rreth 1 mijë individë. Në këtë kuptim, numri i shqiptarëve që kanë më shumë para në bankë nga ç’iu siguron ligji, është ulur gjatë vitit të kaluar.

Në fund të vitit të kaluar, fondi i ASD për sigurimin e depozitave në banka arriti në afro 39 miliardë lekë ose rreth 310 milionë euro. Kjo shumë mbulon 5.83% të vlerës së siguruar të depozitave, çka përfaqëson edhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Ligji për sigurimin e depozitave parashikon që ky raport të jetë të paktën 5% dhe prej tre vjetësh fondi i sigurimit të depozitave qëndron sipër nivelit ligjor të kërkuar.

Sipas ligjit, ASD siguron depozitat bankare të individëve dhe bizneseve deri në 2.5 milionë lekë, si edhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në 2 milionë lekë.

ASD është gjithashtu institucioni i ngarkuar me ligj për të administruar fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka. Në fund të vitit 2018, vlera e këtij fondi arriti në 632 milionë lekë ose rreth 5 milionë euro. Ky fond do të shërbejë për të shpëtuar, eventualisht, bankat që mund të gjenden në vështirësi, në mënyrë që kjo barrë të mos bjerë mbi taksapaguesit.

Komento:
Loading...