Ofensiva ekonomike e Erdoganit në Serbi

0
16

Presidenti turk Erdogan viziton Serbinë me një delegacion të madh investitorësh. Ai troket në një portë të hapur. Ankaraja do të zgjerojë influencën politike në korridorin e pasëm të BE-së, Ballkan.

Xhaketa blu të errët dhe me kuadrate, duket se kjo veshje u solli fat dy burrave të fuqishëm të shtetit në prill. Me këtë veshje Aleksandar Vuçiç mori votën në zgjedhjet presidenciale në Serbi, të cilat në fakt ai i fitoi qysh në raundin e parë. Me të njëjtën veshje u shfaq edhe homologu i tij Taip Erdogan në qendrën e votimit, kur ia doli të aplikojë sistemin presidencial përmes referendumit. Është një copë simbolike e veshjes, që i bën dy të fuqishmit të duken modernë. Komuniteti serb i Twitter-it madje ka gjetur edhe një nofkë për këtë: xhaketa e diktatorëve.

Por Erdoganin dhe Vuçiçin i bashkon më shumë se sa vetëm stili. Ndonëse për shkak të madhësisë së vendeve të tyre ata luajnë në kategori të ndryshme, që të dy preferojnë pushtetin absolut si dhe nënçmimin e opozitës dhe të medieve kritike. Ata preferojnë të inskenohen si shpëtimtarë, që pa u lodhur punojnë për popullin për vende pune dhe zhvillim.

Pikërisht kjo synohet edhe të martën, kur Erdogan i shoqëruar nga delegacioni i tij me investitorë i përbërë nga 150 bosë të ekonomisë viziton Beogradin. Nuk është e pazakontë për Erdoganin të udhëtojë i shoqëruar nga delegacion investitorësh. Por për qeverinë serbe ky është një event, me të cilin ajo synon të fitojë pikë në popull. Mesazhi është: paratë po vijnë me thasë.

…e të gjithë janë të kënaqur

Arsyeja ekonomike e qeverisë turke harmonizohet lehtë me atë serbe, thonë ekonomistët. Fjala magjike në Ankara është eksport. Vetëm nëse rritet edhe më tej eksporti, mund të arrihet rritja e premtuar çdo vit me 5,5 përqind. Ballkani Perëndimor ofron mjaft forca të lira pune për investitorët turq si dhe lehtësi për aksesin në tregun e BE-së. “Praktikisht tani procesi i bisedimeve të anëtarësimit BE-Turqi është i vdekur. Ndaj është një avantazh deçiziv, nëse ndërmarrjet turke prodhojnë në vende, që janë më pranë BE-së e madje edhe brenda unionit”, mendon ekonomisti nga Stambolli dhe analisti politik Atilla Yeşilada.

Vuçiç në të kundërt i var shpresat tek paratë dhe vendet e reja të punës – ai është madje i gatshëm për këtë, që t’u paguajë investitorëve rreth 10.000 Euro subvencion për çdo vend pune. Sundimtari i vetëm serb vazhdimisht deklaron, se do të jetë numri 1 europian për zhvillimin ekonomik. Por deri tani shifrat janë asgjësuese për të. Në tre vitet e fundit me një rritje 1,6 përqind vendi ishte i fundit në rajon (Mali i Zi me 7,7%, Kosova me 9,1% dhe Maqedonia me 10,2%).  Paga mesatare me më pak se 400€ në muaj është ndër më të ulëtat në Europë.

Megjithatë paratë turke kryesisht do të derdhen në të ashtuquajturën industri me vlerë të pakët shtesë, pra atje ku ka nevojë më shumë për forca të thjeshta pune e jo për inovacion, thotë Yeşilada. Qysh tani më shumë se 1.000 punëtorë në Serbi prodhojnë pantallona Jeans të lira për firmat turke, dhe sipas qeverisë serbe kjo shifër do të rritet në 3.000. Përveç kësaj në opinionin serb përfliten edhe interesat turke ndaj industrisë së drurit dhe të qumështit. Kjo do të ishte me avantazh për të dyja palët: “Në të tilla degë në vendet e Ballkanit mund të arrihet menjëherë hopi ekonomik dhe njëkohësisht kjo shërben si bazë për ekonominë turke të eksportit”, thotë Yeşilada për DW.

Ëndrra neo-osmane

“Invazioni i biznesit: turqit sërish pushtojnë Serbinë”, kështu e titullonte gazeta bulevardeske Blic vitin e kaluar një artikull të saj duke aluduar për sundimin pesëqindvjeçar të Perandorisë Osmane në Serbi. Por kjo hiperbolë kuptohet që aktualisht kishte konotacion pozitiv. Biljana Stepanoviç do të preferonte të ishte më realiste, sepse deri tani investimet turke në rajon kanë qenë të moderuara, thotë kryeredaktorja e revistës ekonomike të Beogradit “Nova ekonomija”.

Eksporti drejt gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ndodhen në sallonin e pritjes të BE-së për anëtarësim (Serbia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) me gjithsej 20 milionë banorë, ka një volum vjetor nën dy miliardë Dollarë amerikanë. Më shumë produkte prodhuesit turq i shesin në Azerbajxhan apo Izrael, të dy vende këto me më pak se 10 milionë banorë. Ndaj thekson Stepanoviç, duhet pritur një herë, të shihet, se sa seriozisht e kanë turqit.

Shumë vëzhgues megjithatë hamendësojnë, se Turqia nuk synon vetëm ekonominë në Ballkan. Qysh tani, kryesisht në vendet me shumicë myslimane si në Bosnje-Hercegovinë apo Shqipëri financohen xhami, shkolla e organizata humanitare. “Ne kemi të bëjmë edhe me neo-osmanizmin. Turqit jetojnë me iluzionin, se ish-kolonitë po i presin ata me krahë hapur”, thotë Atilla Yeşilada. Në fakt, nuk është kështu, megjithatë turqit kanë arsye të forta që të jenë të interesuar edhe politikisht për këtë rajon. Nga njëra anë duhet stabilitet në këtë pjesë të fqinjësisë, nga ana tjetër edhe pse “qeveria e AKP-së beson – gjë që për mua është gabim – se për një periudhë afatmesme BE-ja do të jetë më shumë rivale se sa partnere”, thotë Atilla Yeşilada./DW

Komento: