Nikollë Lesi: Policia më ndaloi të ndiqja protestën

0
16
Loading...

Drejtori i të përditshmes “Koha Jonë”, Nikollë Lesi ka denoncuar policinë e Shtetit se ka ndërhyrë për ta arrestuar, ndërkohë që po shkonte në zyrat e redaksisë së medias që drejton.

Për shkak të masave të shumta të marra për mbarëvajtjen e protestës, policia kishte bllokuar disa akse rrugore, ndërsa efektivët e policisë rrethuan makinën e Lesit.

Megjithatë gjithçka u sqarua, pasi drejtori i “Koha Jonë” telefonoi kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe u la i lirë të shkojë në vendin e tij të punës.

“Më bllokuan rrugën dhe me dolën para makinës. U kërkova arsyen duke iu shpjeguar se jam gazetar dhe drejtor gazete e më duhet të shkojë në gazetë, ku rrugica ishte 14 metra më tej se sa më ndaluan. Nuk hanin pykë. Atëherë ngrita zërin. Në moment erdhën mbi 6 policë dhe tentuan me merrnin me forcë nga makina për në polici. Mbylla derën e makinës dhe ndërkohë mora drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ardi Veliu. Më pas forcat e shumta të policisë ikën. Më lejoni të them se kjo sjellje nuk është aspak korrekte dhe ligjore. Merret me mend se ç’u punojnë njerëzve të thjeshtë! Nuk është puna për mua pasi jam mësuar në 28 vite si gazetar të përplasem me pushtetet, por më duhet të shtoj se nuk duhet në këtë mënyrë, pasi janë sjellje brutale dhe jo ligjore. Nuk mund të them se i urdhëroi njeri nga lart për mua, pasi nuk kam fakte, porse fryma e pushtetit dhe sidomos e kryeministrit ndaj njerëzve të medias sjell këtë mënyrë reagimi, aq me tepër kur marrin vesh apo ndjekin gazetarët që kritikojnë kryeministrin”, tregoi Nikollë Lesi.

Komento:
Loading...