Në shtëpi me qera dhe guximtare, kush është Ina, policja që humbi gishtat

0
15
Loading...

Jeton e vetme. Me qera. Babai pa punë. Nëna ekonomiste. Vëllai emigrant në Gjermani. Nuk ka krijuar deri tani një familje pasi i është dedikuar punës, ku kërkon të bëjë karrierë.

Ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Kolegët e saj të Forcave të Posaçme “Shqiponjat” në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë e tregojnë si një vajzë të shkëlqyer, e përkushtuar dhe me ëndrra për të ardhmen.

Po sot efektivja e policisë, Ina Nuka, mbeti e plagosur rëndë në protestën e organizuar nga Partia Demokratike, duke i shkaktuar dhe humbjen e katër gishtave të saj në njërën dorë.

Pasojat e asaj që ndodhi kanë lënë disa plagë në trupin e 26-vjeçares së lindur në Peqin dhe e diplomuar me nota të shkëlqyera në Universitetin e Sporteve të Tiranës, ku edhe përfundoi studimet master për shkencat e lëvizjes.

Në Prill të vitit 2016, Ina është certifikuar si punonjëse e Patrullës së Përgjithshme dhe prej afro një vit e gjysmë ka punuar si efektive e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë nr.3.

E reja nga qyteti i vogël i Peqinit, që ndoqi ëndrrën e saj për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, prej gjashtë muajsh ishte transferuar në repartin “Shqiponja”, ku vendosi të jepte kontributin e saj.

Por, për punonjësen e policisë së lindur në vitin 1992, e cila ka pasur rezultate shumë të mira në Universitetin ku ajo studioi dhe në Akademinë e Sigurisë, nuk munguan as arritjet në profesionin e saj.

Ndonëse në një moshë të re, ajo vuri jetën e saj në rrezik përballë disa grabitëse që kishin vjedhur me dhunë një makinë në Shkodër, duke i ndaluar keqbërësit.

Për këtë veprim të saj, ajo është shpërblyer me një pagë mujore shtesë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Jeta e 26-vjeçares nuk u rrezikua nga as nga keqbërësit që vjedhin makina apo persona të tjerë me të kaluar kriminale dhe me të cilët përballej çdo ditë, por dëmet më të mëdha në trupin e saj i mori gjatë një protestë të organizuar nga PD, ku ishte angazhuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.

Në një rrëfim për emisionin “Open” me Eni Vasilin, policja e plagosur në dorë, Ina Nuka tregon momentin e plagosjes nga një plasëse.

“Ishim me shërbim te Parlamenti për protestën. Situata agravoi dhe turma nisi të shtynte. Isha në rreshtin e dytë dhe një nga këto plasëset më ra në trup dhe u mundova ta shmang me dorën e djathtë, pasi e kisha në pjesën e qafës”, tregon Nuka.

Sot Ina, ka disa gishta më pak, disa plagë më shumë në trup dhe ëndrrën për të vazhduar të nesërmen punën si punonjëse e policisë, për të cilën la profesionin e saj si mësuese fizkulture.

Art
Komento:
Loading...