Me biçikletë rreth botës, Jacky Chen arrin në Tiranë

0
48
Loading...

Xhiroja e botës me biçikletën e tij është ëndrra e madhe e Jacky Chen, një inxhinieri elektrik nga Tajvani, që prej tre vitesh e gjysmë shëtit globin.

Jacky mbërriti mbrëmjen e Krishtlindjeve në Shqipëri, pasi kishte vizituar më parë Malin e Zi dhe Kroacinë. Atë e takojmë te Parku Rinia, ku kishte kaluar natën në çadër. Ai gëzohet kur mëson se ndërtesa pas krahëve të tij merr emrin nga vendlindja e tij.

“Ndoshta jam tajvanezi i parë që bën kamping te “Tajvani”, ndaj është shumë për të qeshur”, shprehet me humor ai.

Fjetja është problemi më i madh për Jacky-n. Ai përdor disa aplikacione për të gjetur vendas që i ofrojnë akomodim në qytetet që viziton, por jo gjithmonë dikush është i gatshëm të hapë derën. Por pavarësisht vështirësive, Jacky gjen forcë te miqtë e tij dhe familja, me të cilën kontakton përmes internetit.

“Shpresoj të mund të frymëzoj të rinjtë që të shtyhen të realizojnë ëndrrat. Unë nuk jam çiklist profesionist, nuk jam atlet, nuk jam i pasur, nuk kam ndonjë familje me emër, por përpiqem që të realizoj ëndrrat e mia. Nëse mund t’ia dal unë, atëherë mendoj se dhe ju mund t’ia dilni”

Çiklisti nga Tajvani krenohet me artikujt që shkruajnë për të në mediat lokale. Shumë njerëz e quajnë atë të marrë, por shumica e përgëzojnë për nismën e tij. Edhe pse ka kaluar vetëm pak kohë në kryeqytet, atij i pëlqen shumë Tirana, ngjyrat e qytetit dhe mikpritja e njerëzve.

Çdo ditë ai përshkon rreth 100 kilometra, ndërsa tërheq nga pas mbi 100 kilogramë plaçka.

“Këtu mbaj batanijet kur bën ftohtë, këtu kam disa rroba, laptopin dhe pajisje të tjera elektronike, ndërsa këtu në fillim kam çadrën dhe thesin e kampingut”

Atë e pret një rrugë e gjatë, por është i lumtur që ka hyrë në listën e aventurierëve që kanë ndërmarrë një udhëtim të tillë. Jacky Chen e nisi aventurën e tij nga Alaska në vitin 2016 dhe shpreson të mbërrijë në shtëpi në vitin 2021.

Komento:
Loading...