Makinat që do të ndalohen të hyjnë në Shqipëri

0
14
Loading...

Që prej datës 2 dhjetor 2018 në territorin shqiptar nuk do të hyjnë më automjete që kanë më shumë se 10 vjet përdorim.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar të hënën të gjithë qytetarët dhe bizneset për hyrjen në fuqi të VKM-së Nr. 633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.
Vendimi zbatohet për mjetet motorike të kategorisë M (M1, M2) për transport njerëzish dhe N (N1) për transport mallrash.

Referuar vendimit, automjetet që do të importohen në Republikën e Shqipërisë, duhet të përmbushin kushtet teknike lidhur me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve dhe gjendjes tekniko-fizike të tyre.

Me hyrjen në fuqi të vendimit, do të lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat :
a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

b) Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

c) Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Vendimi nuk do të zbatohet për importin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:i. automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970; ii. automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë; iii. automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.
Dhe mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

Komento:
Loading...