Kina synon Fiat, BE merr masa për të frenuar blerjet kineze Nga

0
375
Loading...

Aksionet e kompanisë italo-amerikane të makinave, Fiat Chrysler Automobiles u rritën sot në bursa me 4%, duke i kaluar 10 euro për aksion, pas lajmeve se kompani kineze kanë interes ta blejnë atë.

Sipas lajmit të publikuar në «Automotive News», «të paktën një ofertë është prezantuar këtë muaj nga një sipërmarrje kineze, që gjithsesi është refuzuar nga Fca, pasi nuk është vlerësuar e mjaftueshme. Ndërkohë, shkruan ilsole24, grupe të tjera të rëndësishme kineze në sektorin e automjeteve po shqyrtojnë raportet e kompanisë, me objektiv blerjen e mundshme të Fca. Automotive News nuk identifikon grupet e interesuara por lë të nënkuptohet se disa nga kandidatët janë Dong Feng Motor, Zhejiang Geely e Guangzhou, partneri aktual i Fca në një sipërmarrje të përbashkët në Kinë.

Një shitje e mundshme do të përfshinte Jeep e Ram, Dodge, Chrysler e Fiat, duke lënë jashtë Maserati dhe Alfa Romeo.

Ndërkohë, në lajme të tjera referohet se Brukseli do të shtrëngojë kushtet për blerjen e kompanive të europiane nga të huaj, pasi kërkon të adresojë shqetësimet e shtuara rreth vërshimit të investimeve kineze në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe përpunimit me teknologji të lartë.

Financial Times shkruan se Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian do të njoftojë këto masa gjatë një fjale që do të adresojë në shtator, duke vijuar me të njëjtën linjë si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas burimeve nga njerëz që janë të afërt me këtë çështje.

Kjo çështje është ngritur në axhendën politike të BE-së, për shkak të frikës gjithnjë e në rritje se Kina mund të përfitojë një avantazh teknologjik, duke blerë njohuri europiane, duke kufizuar nga ana tjetër rolin e BE-në në tregun e brendshëm.

SHBA-të kanë filluar ndërkohë një hetim për të drejtat e pronësisë intelektuale, veprimi i parë kundër Kinës nën administratën e Trump, pikërisht për shkak të shqetësimeve të ngjashme.

Aktualisht, vetëm 13 e 28 vendeve të BE-së kanë sisteme formale për të skanuar blerjet dhe investimet e tjera, në mënyrë që të vlerësojë nëse ato përbëjnë një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ose politikave publike.

Sipas një raporti nga Mercator Institute for China Studies dhe Rhodium Group, investimet e huaja kineze drejt BE-së arritën në rreth 35 miliardë euro në 2016, një rritje me më shumë se dy të tretat në krahasim me vitin e mëparshëm.

Komento:
Loading...