Igli Tare “skanon” Cristiano Ronaldon: Ja çfarë përfiton Serie A prej tij

0
52
Loading...

“Në vitin 2019, shpresa është për t’i arritur objektivat tona, që janë kritike për rritjen e klubit. Prej vitesh mundohemi të kthehemi në Champions, por unë mendoj se ky mund të jetë viti i duhur. Natyrisht, e them këtë duke shpresuar se viti i ri do të sjellë paqe me gjyqtarët”. Kështu u shpreh drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, për “Sky Sport 24”, nga Dubai, gjatë ceremonisë së “Globe Soccer Awards”.

Tare nuk i ka harruar polemikat për episodet e arbitrimit të fundit, që sipas tij e kanë dëmtuar ekipin e drejtuar nga Simone Inzaghi: “Është e vështirë për t’i harruar disa gjëra. Ne duhet të jemi të drejtë dhe t’i respektojmë rregullat, por duam që kjo lloj sjelljeje të rrezatohet edhe nga aktorët e tjerë të garës, sidomos nga gjyqtarët”. 

Dy fjalë edhe për merkaton e janarit: “Gjatë ditëve të fundit kam takuar shumë kolegë dhe shumë njerëz të rëndësishëm, por e jona do të jetë një merkato në dalje, më shumë se në hyrje”.

Në Dubai u shpërblye me çmimin e lojtarit më të mirë të vitit 2018 portugezi Cristiano Ronaldo, i cili është pjesë e kampionëve të Juventusit. Ai i ka përforcuar dukshëm bardhezinjtë, por, sipas Igli Tares, CR7 ka pasuruar edhe Serie A, në përgjithësi: “Për imazhin e futbollit Italian, blerja e tij ishte një ngjarje e rëndësishme. Ai ka sjellë vëmendje më të madhe mbi kampionatin italian, e ka ngritur nivelin e lojës”.

Komento:
Loading...