Hakerat sulmojnë politikanët gjermanë, edhe Merkel në shënjestër

0
128
Loading...

Qeveria gjermane njoftoi se të dhëna private të qindra politikanëve të vendit, përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel, janë hakeruar dhe postuar në Twitter.

Zëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz u tha gazetarëve të premten në Berlin se “të dhënat personale dhe dokumentet që u përkisnin qindra politikanëve dhe figurave publike janë publikuar në internet”. Ajo shtoi se “qeveria po e trajton këtë rast me shumë seriozitet”.

Në lidhje me sulmin kibernetik ndaj zyrës së kancelares Merkel, zonja Fietz tha se të dhënat paraprake tregojnë se “nuk ka patur rrjedhje të informacioneve sensitive”.

Të dhënat e vjedhura, përfshirë adresat personale, numrat e telefonit celular, letra, kopje të dokumenteve të identitetit, në disa raste fatura dhe karta krediti, janë publikuar në Twitter në muajin dhjetor, por u zbuluan gjatë kësaj jave.

Përtej politikanëve në shënjestër ishin edhe figura të tjera publike e gazetarë.

Gazeta e përditshme gjermane Bild dhe transmetuesi publik RBB ishin të parët që njoftuan rreth ngjarjes. Bild njoftoi se autoritetet gjermane i kanë kërkuar Agjensisë amerikane të Sigurisë Kombëtare që të ndihmojë në hetimin e sulmit kibernetik.

Komento:
Loading...