Grabitja në Rinas zhvlerëson ndjeshëm euron

0
16
Loading...

Grabitja e para disa ditëve në Rinas, ku brenda barkut të avionit që po nisej drejt Vjenës u vodhën thasët me valutë që bankat po transportonin jashtë, çka bëri që Austrian Airlines të ndalonte këtë shërbim, po jep efektin e saj edhe në kursin e këmbimit.

Monedha e përbashkët europiane ka humbur dy ditët e fundit pas grabitjes 0.7 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Një euro u këmbye sot me 124.2 lekë, duke arritur nivelin më të ulët të dy muajve.

Leku është shfaqur i fortë përkundrejt të gjitha valutave. Rënie të fortë ka pasur dollari, duke u këmbyer në nivelin 110.7 lekë, rreth 0.53 lekë më pak se një ditë më parë, dhe paundi britanik i cili është këmbyer me 144 lekë, rreth 0.6 pikë më pak se një ditë më parë.

Arsyeja kryesore për këtë nënçmim të valutave, sipas ekspertëve të tregut është bllokimi i transferimit të parave për shkak të grabitjes që ndodhi në aeroportin e Rinasit.

Duke qenë se transferimi i tepricës në valutë të bankave është bllokuar, kërkesa për të tërhequr euro nga tregu ka qenë shumë e ulët, duke bërë që euro të nënçmohet fort gjatë ditës së sotme.

Ilirjan Ligacaj, Drejtor i Thesarit pranë Union Bank, tha për Monitor se bankat nuk po tërheqin më valutë nga tregu dhe për këtë arsye po akumulohet stok në treg. Ai shtoi se kjo situatë mund të zgjasë derisa bankat tregtare në vend të gjejnë një mënyrë tjetër për transferimin e tepricës në valutë.

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve, (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit SwissZyrich duke i konvertuar në Euro ose Dollar, të cilat ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri ose i kreditojnë në llogaritë me Bankat korrespondente në Austri apo Zvicër, në vartësi të Bankës që bën marrëveshjen. Ky është një transaksion i thjeshtë këmbimi cash.

Por, pas grabitjes së parave nga barku i avionit që nisej drejt Vjenës pak ditë më parë, e dyta në harkun kohor të tre viteve, zëdhënësja e Austrian Airlines, ka pohuar se si një masë sigurie, se nuk do të ketë më transferta cash nga Tirana në Vjenë.

Komento:
Loading...