E pabesueshme, çfarë u ndodh mediave në Shqipëri, Reklamat Online i kalojnë ato në shtypin e shkruar

0
261
Për herë të parë, reklamat në median online i kanë kaluar ato në shtypin e shkruar, duke shënuar një pikë kthese në historinë e mediave shqiptare. Televizionet po konkurrojnë gjithnjë e më fort mes tyre për të ndarë tortën e reklamave që po zvogëlohet gradualisht.
Vetëm 350 persona kishin akses në internet në Shqipëri në vitin 1995, sipas të dhënave të Bankës Botërore. I ulët mbeti përdorimi i internetit deri në vitin 2006, ku gradualisht kishte arritur në gati 10% të popullsisë. Më pas filloi rritja e shpejtë, për të arritur në vitin 2016, ku 66% e popullsisë, apo gati dy milionë persona kanë akses në rrjet.
Përgjatë 5 viteve të fundit, interneti dhe teknologjia e ndryshuan me shpejtësi mënyrën si shqiptarët komunikojnë, informohen, argëtohen dhe shpenzojnë kohën e lirë. YouTube, kanalet dixhitale, Netflix kanë ngushtuar hapësirën, që dikur ishte e dedikuar vetëm për televizorin. Smartphone është bërë shoqëruesi i gjithsecilit dhe mjeti i parë i informimit, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për moshën e mesme tashmë.
Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2016 vlerësohet të ketë arritur në rreth 39.3 milionë euro, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve, rritjes së fortë online dhe një periudhe më të mirë të operatorëve outdoor.
Tregu online është në zhvillim të shpejtë dhe më i vështiri për t’u matur, për shkak të informalitetit të lartë. Që prej vitit 2015, kur ky segment monitorohet nga Idra Media, ka shënuar rritje të shpejtë. Në 2016-n, sipërfaqja e reklamuar u rrit me 68% me bazë vjetore. Zgjerimi ka vijuar edhe në 2017-n, ndonëse me ritme më të ngadalësuara prej 16%.
Tregu i reklamave online vlerësohet të ketë arritur 2.4 milionë euro në vitin 2017 , duke ia kaluar për herë të parë nivelit të reklamimit në median e shkruar. 30% e tyre shkojnë kryesisht drejt faqes së internetit të Top Channel dhe portalit Balkan Web.
Shtypi i shkruar po kalon një periudhë të vështirë. Ai po konkurrohet fort jo vetëm nga mediat online, që e përhapin lajmin brenda pak sekondave, por edhe nga njësitë online brenda gazetës së tyre.
Lexuesit tradicionalë po largohen gradualisht nga media e shkruar, reklamuesit po ashtu. Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2017 (për 36 gazeta e revista) ra me 21% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen më pak se 2 milionë euro në vitin 2017 , me një rënie vjetore prej të paktën 10%. Në krahasim me katër vjet më parë, tkurrja është e fortë, rreth 40%.
Çdo sekondë portalet të bombardojnë me lajme, që i dalin shumëkujt në facebook apo në aplikacionin e shkarkuar në smartphone, duke i “harruar” tërësisht gazetat si një mjet alternativ informimi.
Në të njëjtën linjë, reklamuesit që po i ikin shtypit të shkuar po drejtohen në internet, një tendencë mbarëbotërore kjo. Në botë, të ardhurat nga reklamat online i kanë kaluar ato në print që në vitin 2012. Në Shqipëri, ky tranzicion ndodhi në periudhën 2016-2017 dhe sot media online është absolutisht më e preferuar se ajo në shtypin e shkruar, duke i kaluar 2 milionë euro të ardhura.
Reklamimi online shihet nga bizneset si më i leverdishëm dhe shënjestron më mirë brezin e ri që, dhe më parë, nuk ishte lexues i rregullt i shtypit të shkruar. Të dhënat e Idra Media tregojnë se sipërfaqja e reklamuar në mediat online u rrit me 68% në 2016-n dhe 16% në 2017 (me bazë vjetore).
Komento:
Loading...