Donte një biletë për Napoli-Inter, kapet mafiozi i “Camorra”-s

0
16

Pasioni për futbollin dhe ekipin e zemrës mund të fusë në burg. Kështu i ka ndodhur bosit të mafies napolitane në Itali, Emanuele Niola, që tashmë është arrestuar nga policia e Napolit. Dhe për çfarë është arrestuar? Ai ka tentuar që të blejë një biletë për ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Interit, që luhet më 21 tetor në “San Paolo”.

Nuk është krim të blesh një biletë futbolli, por 33-vjeçari ishte në arrati, pasi është dënuar nga Gjykata e Napolit 6 vjet për trafik droge. Niola u mbajt në burg në vitin 2013, si pjesë e organizatës së njohur “Camorra”. Përpjekja e tij për të ndjekur nga afër ndeshjen e skuadrës së tij të zemrës ka rezultuar fatale.

Niola telefonoi në zyrën e biletave të klubit të Napolit dhe ngjalli dyshime, për shkak se dha vetëm emrin e tij, Emanuele, duke refuzuar që të japë mbiemrin. Policia ka përgjuar telefonatën e bërë prej tij dhe më pas e ka arrestuar në një lavazh, teksa ishte brenda makinës së tij, tip Fiat Punto. “Dua një jetë të re, jashtë rrugës së drogës” – mësohet se i ka thënë ai policisë gjatë momentit të arrestimit, për të thënë që ka dashur vetë të kthehet në burg. Kjo është një taktikë për të ulur dënimin.

Komento: