BSH forcon elementët e sigurisë për monedhën shqiptare

0
49
Loading...

Banka Qendrore ka përmirësuar cilësinë e emisionit të monedhës shqiptare.

Gjatë vitit 2018 Banka Qendrore ka zbatuar një sërë masash që synojnë minimizimin e rrezikut operacional, përmirësimin e procesit të përpunimit të monedhës, dhe mbrojtjen e saj nga falsifikimi.

Gjithashtu, gjatë vitit që sapo po mbyll Banka Qendrore vijoi punën për realizimin e kartëmonedhës me prerje 10,000 lekë, e cila i shtohet serisë së kartëmonedhave në qarkullim në vitin 2020 dhe pasqyron simbolet e flamurit kombëtar.

BSH-ja njoftoi se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementet teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë.

Gjithashtu mbajtja e cilësisë së kartëmonedhave në nivele të kënaqshme në vijimësi, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it.

Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore evropiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor.

Banka e Shqipërisë do të rrisë aftësinë e saj në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Me përmirësimin e kapaciteteve teknike synohet rritja e kapaciteteve administrative të Qendrës Kombëtare të Analizës. Gjithashtu, do të punohet për rritjen e bashkëpunimit në fushën e falsifikimit, duke formalizuar marrëveshje me autoritetet kombëtare dhe evropiane për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë do të punohet për plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Banka e Shqipërisë do të forcojë praktikat e kontrollit dhe masat e mbrojtjes fizike që garantojnë sigurinë dhe pacenueshmërinë e vlerave monetare që ajo administron, në funksion të emisionit dhe thesarit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës. Kjo do të realizohet përmes rishikimit – sa herë që është e nevojshme – të rregullave dhe procedurave të administrimit të vlerave, me qëllim përsosjen e tyre dhe sigurimin e standardeve të cilësisë së parasë në qarkullim, si dhe përmirësimin e mjediseve të depozitimit dhe ruajtjes së tyre.

Komento:
Loading...