Basha merr gjobën e dytë brenda 24 orëve

0
219

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është gjobitur përsëri brenda 24 orëve.

Këtë herë gjoba ka ardhur nga Policia e Tiranës, pasi shefi i opozitës shkoi mbrëmjen e kaluar pranë godinës së Teatrit Kombëtar, pas orës 17:30.

“Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese të përcaktuara në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, pas orës 17:30 të datës 14.05.2020, ka  konstatuar me shqetësim, grumbullimin e një grupi qytetarësh pranë Teatrit Kombëtar, shumë përtej fashës orare të qarkullimit dhe në shkelje të çdo rregulli të parashikuar nga Akti Normativ”, thotë Policia e Tiranës.

Bashkë me kreun e PD janë gjobitur rreth 20 persona të tjerë.

Një ditë më parë, Basha u gjobit nga Policia e Durrësit dhe iu hoq patenta, pasi organizoi një takim me disa pronarë të bizneseve të Durrësit, brenda ambienteve të një lokali. Dhe ky veprim për Policinë ishte në shkelje të masave të miratuara nga qeveria për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Ky veprim u komentua mbrëmë edhe nga kryeministri Edi Rama. Ai tha në emision “Opinion” se nëse numrat e të infektuarve në Tiranë rriten, kryeqyteti jo vetëm që nuk do të kthehet në zonë të gjelbër, por rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe në zonë të mbyllur fare.

“Nuk është vetëm Lulzim Basha që shkon dhe thyen ligjin në mënyrë spektakolare dhe brutale, me kamera”, tha Rama.

Komento:
Loading...