Austrian Airlines pritet të rifillojë transportin e parave nga Rinasi

0
70
Loading...

Pas një bllokimi prej rreth dy javësh, Austrian Airlines po rishikon mundësinë e rifillimit të transportit të parave nga Rinasi drejt Vjenës.

Zëdhënësja e Austrian Airlines Tanja Gruber tha në një komunikim telefonik për “Monitor” se po rishikohen masat e sigurisë dhe nëse gjithçka do të jetë e sigurt, atëherë do të rifillojë shërbimi i transportit cash të parave.

Znj. Gruber nuk dha një datë të saktë se kur do të rifillojnë transporti, por burime nga kompanitë shqiptare që bashkëpunojnë për këtë shërbim thanë se pritet të fillojë shpejt.

Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.

Ndalimi i transportit shkaktoi probleme në ditët e para, duke dhënë efekt të menjëhershëm te kursi i këmbimit. Në tre ditë, që kur ndodhi grabitja e parave në barkun e avionit në Rinas, që po nisej drejt Vjenës, euro humbi 1.31 lekë, duke u këmbyer në datën 15 prill me 123.58 lekë, në nivelin më të ulët nga fillimi i janarit. Krahas euros u nënçmuan dhe të gjitha valutat e tjera, si dollari, paundi, fanga zvicerane. Rënia reflektoi pamundësinë e bankave për të transportuar valutën jashtë vendin, çka po i bën ato të kufizohen në transaksionet e këmbimit valutor. Më pas kursi u stabilizua, ndërsa të premten e kaluar (19 prill), valutat iu rikthyen sërish rënies, me euron që humbi 0.31 lekë, duke u këmbyer me 123.83 lekë. Aktorët e tregut pohuan se ndonëse pritet rifillimi i transportimit të parave, sërish tregu mbetet i pasigurt pasi risku i transportit të parave i mbetet bankave.

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve, (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane.

Bankat i transportojnë paratë dhe për të realizuar pagesat e mëdha për klientët, ku paratë e transfertave u dërgohen bankave korrespondente.

Në pritje të zgjidhjes se si do të kryhet transportimi i parave, bankat nuk ishin të prirura të bëjnë këmbime në euro dhe nëse ky ngërç nuk zgjidhet shpejt, kjo mund të jetë problem për biznesin që kryen transaksione të mëdha, ndërsa për individët, që këmbejnë shuma të vogla nuk do të ketë probleme, shkruan Monitor.

Komento:
Loading...