“Asaj”, një perlë e Lumo Skëndos- Mit’hat Frashërit

0
13
Loading...

(Përzgjedhur dhe përshtatur nga Ervin Fetahu)

ASAJ

Më pyete pse të dua, dhe unë qesha…

Qesha dhe tani po mejtonem dhe them:

Pse të dua…???

Të dua për atë të qeshur të bukur kur të shkëlqen syri i kthjelltë nën ballë të qëruar ;

Të dua për ato leshra ku është përshtjellë gjithë thellësi e natës,

dhe për atë vështrim ku këndohet gaz i ditës,

Për atë vështrim që lind si një yll në qiell të jetës sime,

Të dua, se kur flet ai zë me zgjon në zemrën time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit,

Të dua se pranë teje ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në të dashurit tënd shoh bardhësinë e jetës….

Të dua kudo,

në gëzim të fatit e në errësirën e helmuar

Në qeshje të mëngjesit dhe tym të mukëtirës…

Në ngjyrë të lules dhe në përkëdhelje të veriut,

Kudo o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh…

Të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit, dhe në fund të zemrës…

atje thellë ty të gjej…!

***

Më pyete a është e denjë,

dhe a është e përjetshme dashuria ime.

Atëherë sytë e tu, ata sytë e zezë që i dua kaq…

marrin një shkëlqim, një vështrim të ri,

dhe buza jote ka një të qeshur të hidhur…

Pse o e dashura ime,

pse lejon që te hyjnë të tilla mendime të hidhura në atë kokë të bukur.

a nuk e di ti që çdo gjë në këtë jetë është e vdekshme,

nuk e di që çdo gjë mbi këtë dhe ka një fund…?

dhe ti sërish me këto mendime,

mos i përsërit me këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të denjë…

Sot të dua sa për një jetë të tërë,

mos e prish gëzimin e sotëm duke menduar për të nesërmen e errët…

Mos më pyet më a është e denjë,

dhe a është e përjetshme dashuria ime…!

L.M – 1908

  • TAG
Komento:
Loading...