Apple shënon rënie. Shkak, rënia e ekonomisë kineze

0
50
Loading...

Apple ka trazuar investitorët me lajmin se shitjet e saj janë ngadalësuar, duke fajësuar dobësinë ekonomike në Kinë.

Në një njoftim të papritur, prodhuesi i “iPhone”-ve tha se të ardhurat e kompanisë për tre muajt e fundit, deri më 29 dhjetor, ishin 84 miliardë dollarë.

Në nëntor, ai kishte parashikuar të paktën 89 miliardë dollarë të ardhura, një parashikim që edhe në atë kohë kishte zhgënjyer investitorët.

Aksionet e Apple humbën më shumë se 7 për qind në bursa pas njoftimit.

Sezoni festiv, zakonisht është tremujori më fitimprurës për Apple. Por, të ardhurat prej 84 miliardë dollarësh shënojnë një rënie prej thuajse 5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, e përfaqësojnë rënien më të dukshme të kompanisë që nga viti 2016.

Në një letër drejtuar investitorëve, drejtori ekzekutiv Tim Cook tha se, problemet me shitjet e kompanisë ishin të lidhura kryesisht me rajonin e Kinës së madhe, që përfshin edhe Hong Kongun dhe Tajvanin, e që garanton zakonisht rreth 20 për qind të të ardhurave të Apple.

“Ndërsa ne kemi trajtuar disa sfida në tregjet kyçe, nuk mundëm të parashikonim magnitudën e rënies ekonomike veçanërisht në Kinën e madhe”, tha ai.

Sidoqoftë, Cook shtoi se tregjet e zhvilluara kanë njohur po ashtu probleme, pasi më pak konsumatorë nga sa pritej kanë zgjedhur të blejnë telefonë të rinj.

Komento:
Loading...